Një kompani franceze u shpall përgjegjëse për vdekjen e një punonjësi të saj, që pësoi arrest kardiak gjatë marrëdhënieve seksuale me një të panjohur në një udhëtim pune.
Vendimi u mor nga një gjykatë në Paris, që e vlerësoi vdekjen e punonjësit të ndjerë, të quajtur Xavier X, si aksident në punë dhe se familja e tij kishte të drejtën e marrjes së kompensimit nga punëdhënësi.
Kompania vetë u mbrojt duke deklaruar se personi në fjalë nuk ishte në detyrë në momentin që shoqërohej nga e panjohura në dhomën e hotelit. Por, gjyqtari tha se sipas ligjeve franceze, punëdhënësi është përgjegjës për çdo aksident dhe të papritur që mund t’i ndodhë punëmarrësit gjatë një udhëtimi pune.
Xavier X punonte si inxhinier për kompaninë TSO, me bazë në Paris, por që operon në fushën e shërbimeve dhe riparimit të hekurudhave në një pjesë të mirë të Francës. Ai vdiq në një dhomë hoteli në Francën qendrore në vitin 2013. Për të shmangur detyrimet e kompensimit kompania e përshkroi vdekjen si pasojë e një “marrëdhënieje jashtëmartesore me një të panjohur perfekte”.
Megjithatë, autoritetet shtetërore të sigurisë në punë vendosën që vdekjen e tij ta kategorizojnë si “aksident në punë”. Kompania e sfidoi këtë vendim dhe në gjykata u mbrojt duke deklaruar se “seksi ishte normal, si ushqimi, uji, apo bërja e banjës” dhe nuk mund të përfshihej tek “aksidentet në punë”.
Por, gjykata e Parisit e rrëzoi këtë këndvështrim të kompanisë TSO dhe tha se gjatë një udhëtimi pune, punonjësi gëzon mbrojtjen e plotë sociale gjatë gjithë kohës që është në atë udhëtim, pavarësisht rrethanave dhe orareve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.