Ekonomi

Punësimi në sektorin e industrisë rritet me 4.2% gjatë një viti

Tremujori i parë i 2020-s ka shënuar një rritje prej 1.1 % për të punësuarit e moshës 15-64 vjeç, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. INSTAT ka nxjerrë sot anketën tremujore të forcave të punës për tremujorin e parë të 2020-s. Rreth 61.4 % e grupmoshës 15-64 vjeç  është në marrdhënie pune sipas INSTAT dhe kjo shkallë e punësimit ka rënë me 1.3% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019

Në tremujorin e parë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,4 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,7 pikë përqindje, ndërkohë krahasuar me tremujorin e katërt 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,2 pikë përqindje.

Në tremujorin e parë të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 69,6 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 0,6 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues shënon një ulje prej 0,1 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 61,9 %, ndërsa për burrat ky tregues është 77,6 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,7 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 1,1 pikë përqindje dhe për burrat është rritur me 0,4 pikë përqindje.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53,4 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e parë 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 78,0 %

Punësimi

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,4 %.

Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i parë i vitit 2019 në tremujorin e parë të vitit 2020, është 1,1 %. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është 4,2 % në sektorin e industrisë, 1,1 % në sektorin e shërbimeve ndërsa sektori i bujqësisë shënon ulje me 0,5 %.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e parë 2020, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u ul me 1,3 %. Punësimi pësoi ulje në sektorin e bujqësisë 2,8 %, në sektorin e industrisë me 0,9 % dhe në sektorin e shërbimeve me 0,3 %

Shkalla e punësimit për burrat është 68,7 %, ndërsa për gratë 54,2 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e punësimit për burrat është rritur me 1,3 pikë përqindje dhe për gratë me 0,9 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 42,7 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e parë 2020, shkalla e punësimit është 70,9 %.

Papunësia

Në tremujorin e parë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,4 %. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,7 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,2 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,0 % dhe për gratë 11,9 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e papunësisë për burrat ka rënë me 1,2 pikë përqindje, ndërsa për gratë ka mbetur në të njëjtin nivel.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 20,0 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e parë të vitit 2020 është 2,2 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e katërt 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë është ulur me 1,4 pikë përqindje.

Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 9,1 %. Në terma vjetorë ky tregues ka mbetur në të njëjtin nivel. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë u rrit me 0,8 pikë përqindje.

Popullsia ekonomikisht joaktive

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2020, 18,5 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11,7 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 11,5 % në paaftësi të përhershme.

Gjatë tremujorit të parë 2020, 11,0 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 71,2 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 8,6 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 13,7 % të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë