Njerez

Të punosh nga shtëpia, fenomeni pushton edhe Shqipërinë

“Përpara shumë kohësh punoja si specialist në një call center, pasi kam mbaruar studimet për Teknologji Informacioni. Nuk ishte një punë shumë lodhshme, por unë nuk po përshtatesha. Vendosa të merresha me projekte në shtëpi,” thotë Sentilian Ukaj, ueb master i cili punon nga shtëpia.
Fenomeni i punës nga shtëpia tashmë ka “pushtuar” edhe vendin tonë. Ndryshe mund të quhet si puna e të rinjve, pasi shumica prej tyre zgjedhin të punojë nga shtëpia, duke krijuar projekte për portale informative, faqe shitjesh dhe blogje, duke siguruar një numër të madh të madh klientësh e bashkë me ta dhe të ardhurash.
Përgjithësisht, ky proces është tepër komod dhe shërben si një pikënisje, për të përfituar më shumë të ardhura dhe për të nisur një profesion. Sipas sociologut Ergys Mërtiri, duke qenë se shoqëritë modernë kanë kohë që kanë kaluar në atë që njihet si shoqëri pasindustriale, ku tashmë shumica e njerëzve nuk është më e punësuar nëpër fabrika e ndërmarrje prodhimi, por në zyra dhe kryesisht në sektorin e shërbimeve, tashmë me rritjen e komunikimit digjital nëpërmjet internetit, kemi gjithnjë e një shtim më të madh punësimi në shtëpi.
“Sot, për shembull edhe kompani të mëdha që nuk e aplikojnë punësimin në distance, po aplikojnë të drejtën që një ditë të javës, punonjësi të ketë mundësi të punojë nga shtëpia, gjë që po shtyn drejt zgjerimit të kësaj forme punësimi,” thotë Mërtiri për Gazeta Si.

Sentiljan Ukaj

Ndër të tjera ai shton se, ky fenomen do të vijë duke u shtuar, pasi kërkesat për pune që kanë të bëjnë me aftësi profesionale që nuk kërkojnë të jesh doemos në zyrë, kane ardhur duke u shtuar. Por, gjithashtu kjo do të rritet edhe për shkak të lëvizjeve të mëdha të popullsisë, ndryshimeve të shpeshta të vendeve të punës, të cilat nuk e favorizojnë punësimin në zyrë.
“Kam dashur gjithmonë që të kem një punë timen, pa u varur nga askush. Tashmë punoj si ueb-master në shtëpi dhe krijoj faqe të ndryshme online, nëpërmjet një pagese të caktuar. Përfitimet nuk janë shumë të mëdha, por mua më intereson më shumë qetësia kur punoj. Të them të drejtën tetë orar-shi ulur në karrige më duket shumë presion,” shton Ukaj.
Ndërsa për stilisten Anxhela Zani, puna nga shtëpia është kthyer në profesionin të cilin ka dashur gjithmonë. Prej një viti tashmë ajo ka hapur faqen e saj në Instagram, “hermosa_intimo”, ku shet veshmbathje. Ajo tregon për Gazeta Si se mallin e merr në Greqi dhe në Turqi, e disa të tjera si rrobat e banjos i krijon edhe sipas dëshirës së klientëve.
“Fillimisht merja vetëm dy porosi në ditë, por me durim dhe përkushtim arrita deri këtu ku jam sot. Tashmë marr deri në 20 porosi në ditë dhe kam kliente të cilat porosisin vazhdimisht tek unë, pasi përpos cilësisë së intimove profesioni i stilistes më ka bërë që unë t’i përshtat me trupat e tyre” shprehet Zani.

Anxhela Zani
https://www.instagram.com/p/Bv_D1D7n12U/?utm_source=ig_web_copy_link

Falë zhvillimeve teknologjike, puna nga shtëpia mund të kryhet në fasilitet, që një i ri sot përdor edhe për të kaluar kohën e lirë në rrjete sociale, të cilat gjithashtu janë kthyer një formë e re biznesi.
Ka shumë të rinj që përdorim këtë proces për të fituar të ardhura të majme. Zani dhe Ukaj nuk janë të vetmit “dëshmitarë” se ky proces po përhapet me shpejtësi tek të gjithë të rinjtë, që dinë të përdorin kompjuterin apo telefonin. Kudo, edhe nëpër kafene puna nga shtëpia është një ndër më të përfolurat, e cila sjell komoditet dhe të ardhura njëkohësisht.
Sipas Mailton Lulo, krijuesi i faqes së njoftimeve të ndryshme për shitje dhe punësime “Kërko-Fillo.al”, ky proces është i kërkuar nga punëdhënësit.
“Ne jemi një grup prej dy vetash, që e kemi nisur fillimisht punën nga shtëpia dhe tashmë jemi duke formuar një staf. Përgjithësish në njoftimet e punëve që vijnë në portalin tonë, janë të personave individual të cilët duan të krijojnë një rrjet punësimi nga shtëpia. Kohët e fundit kemi kontaktuar me një call center që do donte të nxirrte një njoftim të tillë,” shprehet Lulo.

Por, jo gjithnjë ky proces ka përfitime, punëdhënës të ndryshëm janë shprehur se punonjësit që punojnë nga shtëpia, i kushtojnë pak vëmendje detyrave të ngarkuara. Për pasojë, produktiviteti i tij është më i ulët se me punonjësin tradicional, gjithashtu kanë edhe mundësi të pakta për t’u rritur profesionalisht.
Sipas Mërtirit, punësimi në distance ofron një sërë përfitimesh të dyanshme, si për punëdhënësin, ashtu edhe për punëmarrësin. Punëtoreve u eliminon një serë vështirësish, si transporti apo strehimi pranë vendit të punës, fleksibilitet në orare, efiçencë më të madhe, dy-punësim apo edhe me shume pune njëkohësisht, ndërsa kompanive iu ul kostot e shpenzimeve për zyra dhe investimet në to.

“Punësimi në distancë e globalizon tregun e punës. Ti mund të jetosh në Shqipëri dhe të jesh i punësuar në një kompani ndërkombëtare me qendër në New York. Në njëfarë mënyre, nuk ke nevojë të emigrosh për të punuar dhe kjo do të sjellë doemos efekte sociale,” shton ai.
Gjithashtu edhe për stilisten Zani, arsyet për të mos pasur përfitime nga puna në shtëpi, janë të pa përfillshme pasi ajo shprehet se suksesi që ka pasur me faqen e saj të parë, e ka shtyrë atë të krijojë një projekt tjetër me shitje, por këtë herë me veshje sportive, kryesisht ato të palestrës.
“Gjithmonë kujdesem vetë për cilësinë e mallit që marr, pasi nuk dua të zhgënjej klientët. Kjo është puna që kam dashur gjithmonë. Sigurisht që si çdo gjë tjetër ka edhe ajo vështirësitë e veta, por është më komode kur punon në qetësinë tënde,” shton Zani.
Mërtiri shprehet se, një prej efekteve me të drejtpërdrejta, mund te jetë edhe përafrimi i standardit të jetesës duke krijuar mundësi me të mira punësimi, pavarësisht vendit ku jeton.
“Sot njerëzit dynden drejt qendrave të mëdha urbane, apo strehohen pranë zonave komerciale, ku janë përqendruar zyrat apo ndërmarrjet ku ata punojnë. Shtimi i mundësive për të punuar ne distance i eliminon shumë prej fenomeneve te tilla. Ky fenomen mund të ule intensitetin e lëvizjes se popullsisë, duke krijuar njëfarë stabilitetin, për sa i përket strehimit duke ndikuar gjithashtu edhe ne uljen e frenetizmit të jetës së përditshme”shtoi ai.

Nga statistikat e ndryshme, tashmë dimë se të rinjtë përballen me një treg të vështirë punësimi në Shqipëri. Ndër problemet që hasen rëndom janë hapja e vendeve të reja të punës dhe pakënaqësia nga puna që kryuejnë. Por, mesa duket puna nga shtëpia po ndihmon një pjesë të tyre, për të mos qëndruar duarkryq përballë realitetit. Ata janë vetëpunësuar, duke i krijuar kështu vetes, edhe kënaqësinë profesionale, por edhe komoditet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë