Futboll

PSG zyrtarizon largimin e Mesit. Al-Hilal e pret më 6 qershor, Barcelona s’dorëzohet

Gazeta Si – Ylli argjentinas, ashtu siç pritej, i ka dhënë lamtumirën PSG-së dhe është gati të pranojë një ofertë faraonike nga Arabia. Ksavi dhe Barcelona në anën tjetër shpresojnë për rikthimin.

“Këtu dyert janë të hapura", - kishte thënë pak ditë më parë Ksavi, trajneri i Barcelonës, por Lionel Mesi ka zgjedhur Arabinë Saudite. E përditshmja katalanase ‘Sport’, duke cituar burime brenda klubit spanjoll, praktikisht njofton se Al Hilal do të firmosë me 35-vjeçarin më 6 qershor. Megjithatë, te Barcelona nuk dorëzohen.

“Përparësia është e qartë, kam folur me Mesin dhe dua që ai të kthehet. Varet prej tij”, - është shprehur Ksavi. Mesi ndërkohë ka përshëndetur klubin parisien: "Jam i lumtur që kam përfaqësuar PSG-në dhe jam argëtuar vërtet, duke luajtur me këtë skuadër dhe me këta lojtarë të mëdhenj”, - ka thënë argjentinasi për ESPN. – Dua të falënderoj klubin për këtë eksperiencë të mrekullueshme në Paris".

Mesi është bindur nga një kontratë faraonike nga arabët, që i sjell atij 400 milionë euro në sezon, dyfishin e asaj që fiton Kristiano Ronaldo tek Al Nasr. Barcelona në fakt nuk është në gjendje t’i bëjë një ofertë formale ish-lojtarit të saj, duke ditur problemet ekonomike.

PSG ndërkohë zyrtarizoi lamtumirën e Mesit me një njoftim, ku mes të tjerash shkruhej: "Pas 2 sezonesh në kryeqytet, aventura e Leo Mesit te PSG përfundon në fund të sezonit 2022/23. Klubi e falënderon 7 herë fituesin e ‘Topit të Artë’, fitues me fanellën tonë i një Superkupe të Francës dhe 2 titujsh në Ligue 1".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë