Futboll

PSG trullos Mbapenë me trefishim page, Real bën gati ofertën monstruoze

Sfidë e hapur PSG-Real Madrid për Kilian Mbape. Në Madrid janë gati të bëjnë shpenzime të çmendura për sulmuesin francez, por PSG-ja nuk dëshiron ta humbë këtë lojtar. Do të jetë një betejë rekordesh, ku vendimtare do të jetë pa dyshim dëshira e Kilian Mbape.

Klubi i emirit të Katarit ka bërë gati kontratën e re për Mbape dhe për ta bindur të rinovojë, i ofron trefishin e pagës. E përditshmja franceze “Le Parisien” shkruan se mungon vetëm firma në kontratën me 30 milionë euro neto për sulmuesin, pa përfshirë bonuset. Mbape do të paguhet kështu sa Nejmar dhe ky është një sinjal i qartë se PSG-ja synon ta bëjë atë një simbol planetar të strategjisë sportive dhe komerciale. Mbape do të ketë më shumë të ardhura se braziliani, i cili po paguan edhe përpjekjet për t’u kthyer në Barcelonë, një veprim që tifozët nuk e kanë pritur aspak mirë. Për momentin, Mbape ka marrë kohë para se të marrë një vendim për të ardhmen.

Sulmuesi francez, Kilian Mbape. Gazeta Si, 5 nëntor 2019

Real Madrid në anën tjetër nuk është dorëzuar. Po sipas “Le Parisien”, klubi madrilen është gati të investojë një shifër mes 300 dhe 400 milionë eurove. Një ofertë që mund të thyejë edhe rekordin e 222 milionë eurove të vendosur nga Nejmar për kalimin nga Barcelona te PSG-ja. Kilian Mbape u ble nga Monako për 180 milionë euro dhe në atë kohë Reali ishte një hap nga i riu francez, siç ka pohuar së fundi një nga ish-drejtuesit kryesorë të Monakos. “Kishim gjetur akordin me Realin, por Kilian mendonte se ishte më mirë të kompletonte rrugëtimin e tij të rritjes në Francë dhe në qytetin e tij, kështu që zgjodhi PSG-në dhe më tha se Reali mund të priste”, - u shpreh ai. Tashmë vlera e Mbape është dyfishuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë