Treg

Pse shqiptarët po blejnë makina më të lira nga Koreja e Jugut

Nga Gazeta 'SI' - Një nismë qeveritare në një kontinent tjetër, po ndryshon një treg të tërë ekonomik në Shqipërinë e vogël ballkanike.

Makinat me origjinë Korenë e Jugut kanë shkaktuar një ‘crash’ në tregun e automjeteve në Shqipëri, duke kërcënuar dhe ato që vijnë nga Europa. Në vetëm një vit, Koreja e Jugut i ka marrë Gjermanisë dhe Italisë gjysmën e tregut të makinave. Në 12 muaj importi nga atje është rritur me 6 herë.

Marlon Shtjefni, themelues i kompanisë “AutoKorea.al” që operon në Kore të Jugut dhe Shqipëri, tregon për Gazetasi.al, të vërtetën e këtij fenomeni.

“Në Kore ka nisur një lëvizje e mbështetur nga qeveria për ta bërë të gjithë vendin ‘green’. Kështu ata po subvencionojnë qytetarët e bizneset për të larguar mjetet me lëndë djegëse dhe për të përdorur vetëm ato elektrike. Rrjedhimisht ata i shesin për një çmim shumë më të ulët se tregu duke përfituar dhe një vlerë nga qeveria”, shpjegon ai.

Shtjefni shpjegon se këto mjete nga Benz, Volkswagen, Hunday etj shiten rreth 5-7 mijë euro më lirë se në tregun e Europës dhe me vitprodhimi maksimumi 10 vite. Prejardhja e tyre nga një vend aziatik, fillimisht ishte një ‘jo‘ për blerësit shqiptarë, por një makinë me të njëjtën cilësi si ato europiane, për shumë më pak para, nisi të dukej si një pazar tepër tërheqës.

“Fillimisht e kishin me dyshim. Ne kemi 4 vite që operojmë, por 2 vitet e fundit është rritur më shumë puna. Ato janë makina të të njëjtave firma që prodhohen për tregun e Koresë, po me të njëjtin standard. Thjesht Koreja po i nxjerr nga përdorimi. Kërkesa tani është tepër e lartë. Ata i shohin vetë dhe makinat dhe çmimet direkte nga rrjeti. Çdo gjë është transparente. Ne japim garanci për paratë dhe mjetet. Çdo transaksion bëhet me kontratë me klientët”, thotë drejtuesi i “AutoKorea.al” i cili pa treguar për shifra pranon se numri i makinave që shet në muaj është tepër i lartë.

Momentalisht edhe AutoKorea e ka ndjerë ngërçin ne Detin e Kuq, ku sulmet e rebelëve Houthi të Jemenit kanë paralizuar tregtinë botërore. “Kemi 150 makina në det. Kanë vonesë 2 javore për shkak të sulmeve, sepse marrin rrugën e gjatë nga Afrika.”

Ai tregon për Gazetasi.al se makinat nga Koreja po shtojnë dhe konkurrencën në këtë treg, pasi aksesi në treg është i lehtë dhe kërkon shumë pak para. Dhe kjo po kalon kufijtë. Shtjefni thotë se Shqipëria është i vetmi vend që merr makina nga Koreja e Jugut në Ballkan dhe i shpërndan ato në vendet e tjera të rajonit, të cilat janë të kufizuara edhe nga mungesa e një porti detar.

“Ne kemi agjentin në Kore dhe synojmë ta kthejmë Shqipërinë në një urë lidhëse për të gjithë Ballkanin me makinat që vijnë nga atje”, përfundon Shtjefni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë