Gazeta Si – Propozimi i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për të marrë kontrollin e Rripit të Gazës, duke dëbuar rreth 2 milionë palestinezë që jetojnë atje, është problematik në shumë nivele, pothuajse me siguri i paarritshëm dhe sigurisht jo konform sipas ligjit ndërkombëtar.
Ideja u konsiderua befasuese edhe për Trump, i cili javët e fundit ka bërë një sërë njoftimesh të pazakonta për të mos thënë në shumë fusha, nga tregtia ndërkombëtare te ndihma humanitare (dhe më gjerë).
Britanikja “The Guardian”, për shembull, e përkufizoi atë si “tronditëse, edhe për një presidencë që na ka mësuar të shkelë zakonet”.
Trump e paraqiti propozimin gjatë një konference për shtyp të organizuar në Uashington me kryeministrin izraelit Benjamin Netankahu.
Ai nuk dha shumë detaje, por nga mënyra se si foli për këtë, duket se ideja është të dëbohen me forcë banorët e Rripit, për të “marrë kontrollin” e tij dhe të zhvillohet një projekt gjigant ndërtimi që do ta shndërrojë atë në “rivierën e Lindjes së Mesme”.

Trump më pas tha në mënyrë eksplicite, se në atë moment Rripi i Gazës nuk do t’u dorëzohej palestinezëve, por do të menaxhohej nga të tjerët, nuk është e qartë se kush.
Dëbimi i njerëzve nga vendi ku ata jetojnë, është një praktikë e ndaluar në mënyrë të qartë nga traktate të ndryshme ndërkombëtare: mbi të gjitha Konventa e Katërt e Gjenevës për Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte, e nënshkruar në vitin 1949.
Neni 49 i Konventës, thotë se “transferime të detyruara, në masë ose individuale, jashtë territorit të okupuar ose të një shteti tjetër të okupuar ose jo, janë të ndaluara, cilado qoftë arsyeja”.
Në dekadat e fundit, gjykata të ndryshme ndërkombëtare janë marrë me dëbime masive dhe transferime të detyruara, në disa raste që kanë rezultuar në dënime, për shembull në rastin e luftrave në ish-Jugosllavi në vitet 1990.
Përtej kontradiktave të dukshme me të drejtën ndërkombëtare, dëbimi masiv i palestinezëve nga Rripi i Gazës do të shkaktonte vuajtje të mëdha për dy milionë njerëz, të dëbuar tashmë nga më shumë se një vit bombardimesh të vazhdueshme dhe intensive izraelite në Rrip, në të cilat u vranë të paktën 60 mijë njerëz, ndërsa dhjetëra mijëra u plagosën.

Për palestinezët do të ishte një traumë e re kolektive, pas dëbimeve masive të pësuara para, gjatë dhe menjëherë pas luftës që Izraeli luftoi në vitin 1948 me disa vende arabe, kur rreth 700 mijë palestinezë u detyruan të linin shtëpitë e tyre.
Lufta u fitua më vonë nga Izraeli. Palestinezët e përkufizojnë këtë ngjarje si Nakba, “katastrofë” në arabisht dhe e kujtojnë atë çdo vit më 15 maj, një ditë pas themelimit të shtetit të Izraelit, i cili ndodhi më 14 maj 1948.
Për më tepër, banorët aktualë të Rripit nuk do të kishin ku të shkonin. Trump sugjeroi që ata të mirëpriteshin nga Egjipti dhe Jordania, dy vende që tashmë strehojnë disa pasardhës të refugjatëve palestinezë – ka më shumë se 2 milionë në Jordani – dhe tani nuk kanë burimet materiale dhe as vullnetin politik për të mirëpritur banorët e Rripit të Gazës.
Dëbimi i palestinezëve nga Rripi i Gazës do të ishte gjithashtu një operacion logjistikisht pengues, me gjasë që kërkon transferimin e përhershëm të dhjetëra mijëra ushtarëve amerikanë në Rrip.
Në të kaluarën, Trump shpesh kishte promovuar një shkëputje graduale të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme: ky propozim shkon në drejtim të kundërt.
Propozimi për të transformuar Rripin e Gazës në një lloj kompleksi të madh turistik buzë detit, është edhe më surreal.

“Duket si një nga projektet e ndërtimit në të cilin ai ka punuar si kontraktor”, – shkroi kryekorrespondenti i Shtëpisë së Bardhë i gazetës “New York Times”, Peter Baker.
Analisti Andrew Miller, i cili në të kaluarën ka bashkëpunuar me administratat demokrate të Joe Biden dhe Barack Obama, tha gjithashtu për “New York Times”, se një projekt i tillë zhvillimi ndërtues, do të kushtonte shumë para, shumë më tepër se 40 miliardë dollarët në vit që Shtetet e Bashkuara shpenzojnë aktualisht për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe që vetë Trump e ka përcaktuar si të tepërt.
“Është propozimi më i pakuptueshëm që kam dëgjuar ndonjëherë nga një president i SHBA-së”, – tha Miller për “New York Times”.
Disa ditë më parë, pasi Trump kishte hedhur hipotezën për dëbimin e palestinezëve nga Rripi pa dhënë shumë detaje të tjera, një sërë vendesh me shumicë arabe, duke përfshirë Egjiptin, Jordaninë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, si dhe Autoriteti Palestinez – organi paraqeveritar që administron një pjesë të Bregut Perëndimor – e kishin rrëzuar me forcë me anë të një deklarate, hipotezën për zgjerimin e konfliktit dhe komprometimin e perspektivave për paqe dhe bashkëjetesë ndërmjet popujve”.
Ideja u mirëprit pozitivisht nga Netanjahu, i cili tha: “Kjo është mënyra e të menduarit që do të riformojë Lindjen e Mesme dhe do të sjellë paqen”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.