Lajme

Pse nuk funksionon skema e qeverisë për agro-turizmin?

E parë nga kolltuku i Kryeministrit, skema e Qeverisë për agro-turizmin mund të duket shumë e thjeshtë, por në terren gjërat janë ndryshe. Gazeta “Si” ishte në njërin prej 100 fshatrave të përzgjedhur nga qeveria për të zhvilluar këtë sektor, në fshatin Seferan të Bashkisë së Belshit. Zyrtarisht fshati ka pak më shumë se 1200 banorë, por gjysma e tyre jetojnë falë emigracionit, disa si emigrantë sezonalë, të tjerë të përhershëm.

Ata që kanë mbetur ende aty nuk janë aq optimistë sa Kryeministri kur flasin për agro-turizmin dhe këtë e përforcon edhe shifra zero e aplikimeve në tek Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për të përfituar financimin e projekteve.

Bajrami është një veteriner i dalë në pension. 3 dekada tranzicion e vështirësish e kanë bërë që të jetë mosbesues ndaj çdo nisme të Qeverisë. Nuk kursen ironinë për nismën e fundit të agro-turizmit.

“Po ja unë do të vë ca lopë dhe do të vijë ai anglezi që të shohë lopët e mia këtu, kur unë nuk kam ujë të pijshëm në rubinet”, thotë ai.

Banorët e tjerë e mbështesin. Ata thonë se kanë vite që ujin e pijshëm e kanë të kufizuar, sidomos gjatë muajve të verës.

“Prandaj e kemi Dumre ne. Duam re pra që të na sjellin shiun, e shiu ujin”, shton duke qeshur Bajrami.

Vera e sivjetme ka qenë ndryshe nga të tjerat. Reshjet e shiut kanë qenë më të bollshme, por sërish uji në rubinet mbërrin vetëm 60 minuta në 24 orë.

“Vjet një herë në 5 ditë vinte nga një orë ujë dhe po të mos kishim depozita ne do të ngordhnim këtu”, deklaron Pëllumbi.

Uji i pijshëm është vetëm njëri nga 1001 problemet që ka zona. Fshatarët këtu merren përgjithësisht me bujqësi, por ata që kanë arritur që ta zgjerojnë aktivitetin e tyre përtej rrethit vicioz të mbijetesës vit pas viti numërohen me gishtat e njërës dorë dhe që të gjithë e kanë realizuar këtë me forcat e tyre falë punës shumëvjeçare në emigracion.

“Nuk kemi marrë asnjë ndihmë, përkundrazi na kanë penalizuar. Erdha nga emigracioni për të hapur një fabrikë prodhimi për vajin e ullirit në 2014. Më zvarritën për 3 vjet me radhë për lejen e ndërtimit e të tjera dokumenta”, ankohet Ylli.

Parcelat e vendosura në faqet e kodrave janë të mbjella kryesisht me rrush e ullinj, ndërsa në fushë ka nga ata që këmbëngulin tek tradita e zonës; kultura e duhanit, megjithëse janë zhgënjyer e mashtruar vit pas viti.

“Në 2015 na thanë mbillni duhan se do ta blejmë me 4 mijë lek kilja. Të gjithë mbollëm dhe firmosëm edhe disa kontrata. Mirë që në fund e morën me 2 mijë lekë, por edhe ato na i dhanë pas dy viteve”, thotë Shpëtimi.

Kompania greke që kishte monopolin e grumbullimit të duhanit në këtë zonë në atë vit, pasi e mblodhi të gjithë prodhimin deklaroi falimentimin. Fermerët u hodhën në protestë disa herë dhe kërkuan paratë e mundit dhe djersës së tyre. Në pamundësi për t’u përballur me kompaninë greke ndihmën e kërkonin nga shteti, ai që në një sistem që funksionon duhej t’i mbronte nga abuzimet dhe të garantonte shitjen e produktit.

Tani, le t’i rikthehemi agro-turizmit. Në Seferan dora e shtetit, përveç fundit të muajit tek mbledhja e taksave, që paguhen thuajse 100 për qind, ndjehet vetëm tek rruga e lënë përgjysmë dhe një piste biçikletash të ndërtuar buzë liqenit, që ka një hapësirë pak më shumë se 80 hektarë, e që mban emrin e fshatit. Por, edhe kjo pistë është e ndërtuar falë bashkëpunimit të Qeverisë me Fondin e Turizmit dhe Zhvillimit, ky i fundit i mbështetur nga Ambasada Suedeze dhe USAID.

Investimet e tjera nuk mungojnë, por ato janë që të gjitha nisma private, apo si në rastin e Fondit. Ky fond ka marrë me qira për një periudhë disavjeçare banesat e boshatisura nga familjet që jetojnë e punojnë në emigracion dhe i ka përshtatur ato për vizitorë, që për hir të së vërtetës shtohen dita-ditës.

Po banorët vendas a janë në gjendje që të ngrenë ferma bujqësore e blegtorale për të përfituar nga lehtësitë e Qeverisë për agro-turizmin e për të dalë nga rrethi vicioz i mbijetesës? Vështirë se mund të ndodhë dhe faktorët që e pengojnë këtë janë disa.

Së pari, thuajse askush nuk përmbush kriterin e sipërfaqes. Toka e ndarë me ligjin 7501 është e fragmentarizuar dhe përveç problematikës së titujve të pronësisë pengesë është edhe mungesa e kulturës së qiradhënies e qiramarrjes.

“Unë kam gjashtë dynim këtu dhe katër dhjetë kilometra larg. Si mund t’i përshtas për agro-turizëm”, thotë një banor i fshatit, që është pjesë e banorëve që nuk firmosën ndarjen e tokave me 7501 pas rënies së regjimit komunist. Shkak ishte pakënaqësia që kishte me parcelat që përfitonte.

Së dyti, është mungesa e informacionit dhe frika nga burokracitë e zyrave shtetërore. Aplikimet duhet të bëhen pranë zyrave të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë dhe Zonave Rurale.

“S’na ka ardhur njeri që të na sqarojë se çfarë duhet bërë e çfarë jo. Të shkojmë nëpër zyra ne?! Ata duan një qerre me letra!”, deklarojnë banorët.

Së treti, deri diku faj kanë edhe banorët. Seferani është një fshat, ashtu si shumë të tjerë të zonës së Dumresë, të mësuar me miq, por të pamësuar me “miq që shpenzojnë”, pra turistë. Ata janë ende shumë mosbesues ndaj çdo nisme të pushtet-mbajtësve, skeptikë fatalë se gjërat mund të ndryshojnë në rastin më të keq dhe skeptikë të paduruar, që ndryshimin e presin brenda ditës në rastin më të mirë.

Hallet e Seferanit ndoshta nuk i ka Shën Vlashi në Durrës, apo Lazarati në Gjirokastër, që të dy pjesë e 100 fshatrave të përzgjedhur në kuadër të turizmit, por e sigurtë është që Shishtaveci në Kukës, Stëbleva në Librazhd, apo Oroshi në Mirditë, gjithashtu pjesë e listës ndajnë të njëjtat problematika, në mos më shumë.

Nisma e Qeverisë për agro-turizmin

Mandati i parë i socialistëve, në koalicion me LSI u karakterizua nga projekti “Rilindja Urbane” dhe investimet e ndërmarra në qendrat e shumë qyteteve të vendit, të shoqëruara shpesh me akuza për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve publike për fasadë, si nga opozita ashtu edhe nga aktorë të opinionit publik.

Pavarësisht akuzave, në fushatën për zgjedhjet e 2017, Edi Rama kërkoi “timonin” i vetëm për të kaluar në një fazë të dytë të asaj që e quan “Rilindje”. Këtë herë premtonte se do të përqendrohej tek zonat rurale, jo vetëm tek infrastruktura, por edhe me një program, që sipas Kryeministrit është më i madhi në histori në mbështetje të bujqësisë dhe blegtorisë.

Bëhet fjalë për miliona euro, nga të cilat 2.5 milionë kalonin si grante të qeverisë dhe Bashkimit Europian, përmes programit IPARD për zhvillimin e zonave rurale. Prioritet i vendosur nga Rama ishte agro-turizmi. Qeveria kishte përcaktuar 100 fshatra të shpërndarë në të gjithë vendin për të ndihmuar këtë sektor me grante, pra me fonde pa norma interesi. Më 12 janar qeveria mori një vendim ku përcaktonte kriteret se si mund të përfitoheshin këto grante.

Për fermat bujqësore, që të përfitohen fonde me normë interesi zero në kuadër të zhvillimit të agro-turizmit kriteri i parë është zotërimi i një hapësire prej 1 hektarë tokë të mbjella me kulturë bujqësore, ose minimalisht 0.5 hektarë serra.

Për fermat blegtorale kërkohet mbarështimi minimalisht i 10 krerëve gjedhë, 100 krerë dele apo dhi dhe 200 krerë shpendë. Përveç këtyre kritereve, që të klasifikohen në kategorinë e agro-turizmit subjektet duhet të sigurojnë edhe akomodim, ushqim e pije, veprimtari çlodhëse të lidhura me fermën e mjedisin dhe të kenë kapacitet mikpritës nga 6 deri në 30 persona.

Një ditë pas daljes së kësaj VKM-je, Kryeministri Edi Rama e njoftonte jo pa krenari nga “Mrizi i Zanave”, që e merrte si shembull perfekt në fushën e agro-turizmit. Ai foli për të tjera lehtësi fiskale për këtë sektor dhe ftoi fermerët e blegtorët që të aplikojnë për të përfituar nga grantet e Qeverisë.

ERTV Live?: Fishtë, Lezhë – Tek Mrizi i Zanave, një strukturë ekselente e agroturizmit, me sipërmarrës të fushës pas vendimit të djeshëm të Qeverisë që përcakton kriteret e klasifikimit të strukturave agroturistike; vendimi do të pasohet nga një program mbështetje financiare e fiskale për zhvillimin e agroturizmit. Ministria e Bujqësisë e Zhvillimit Rural dhe Ministria e Turizmit e Mjedisit po hartojnë një ofertë të re në mozaikun turistik shqiptar, TURIZMI NË FSHAT – një potencial i jashtëzakonshëm dhe i pashfrytëzuar, për rritjen e ekonomisë, punësimit, mirëqenies.

Gepostet von Edi Rama am Samstag, 13. Januar 2018

“Dje miratuam standardet e klasifikimit të strukturave agro-turistike si të tilla. Tani po punojmë për një incentivë fiskale fantastike. Nuk e themi dot të plotë deri në fund, sepse jemi duke punuar, por për gjithë investimet në agro-turizëm në harkun e tre viteve, kjo incentivë do të shtrihet pastaj në shumë vite të tjera e do të përjashtojë nga pjesa më e madhe e taksave investimet”, deklaronte ai para një grupi sipërmarrësisht që e shoqëronin.

Në qershor qeveria miratoi paketën e lehtësimeve, ku parashikohej tatim mbi vlerën e shtuar në nivelin 6 për qind dhe tatim-fitimi 5 për qind. Por, as fondet pa normë interesi dhe as lehtësitë fiskale nuk kanë joshur fermerët që të aplikojnë dhe në takimin e zhvilluar më 20 korrik me kryebashkiakët e vendit, Edi Rama u shfaq i pakënaqur për numrin e aplikimeve që kishin mbërritur në mbyllje të afatit, që ishte 15 korriku.

“Rihapëm thirrjen për agro-turizmin si rezultat i mungesës së projekteve. Kemi vënë në dispozicion një shumë të konsiderueshme nga buxheti i shtetit që do të jetë mbështetje e drejtpërdrejtë për ata që investojnë në agro-turizëm. Këtu nuk bëhet fjalë për kredi, po për grant, para që jepen për projektin pa asnjë interes nga ana e qeverisë. Numri i projekteve që kemi marrë ka qenë 10 herë më i vogël se numri i bashkive që kemi. Kjo është e pakuptueshme dhe e pajustifikuar dhe tregon sa larg akoma janë bashkitë e reja nga vëmendja që duhet të kemi ndaj pjesës së fshatit. Për të ardhur keq që gjithë diskutimi i krerëve të bashkive, kur vjen puna të fshati është rrugë, rrugë, rrugë”, tha Rama.

A mjafton vetëm zgjatja e afatit dhe rihapja e thirrjes për të tërhequr projekte në fushën e agro-turizmit? Për Qeverinë duket e mjaftueshme, për fermerët në terren jo.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë