Analize

Pse mori Kosova bekimin e një antishqiptari

Ishte vera e vitit 2001 kur Presidenti rus Vladimir Putin shkeli për të parën herë në tokën shqiptare. Duke vizituat trupat ruse që kishin uzurpuar Aeroportin e Prishtinës, kreu i Kremlinit bëri thirrje edhe njëherë për mbrojtjen e sovranitetit të Serbisë, duke deklaruar se "terroristët shqiptarë ishin fajtorë për shumicën e paqëndrueshmërisë së rajonit". Atë të diel presidenti Putin pati një ndalesë të paplanifikuar në Kosovë. Fluturimi i tij nga Beogradi u njoftua në minutën e fundit për shkak të shqetësimeve të sigurisë, edhe pse Moska kishte vendosur në atë kohë në Kosovë 3.000 trupa ruse. "Ne duhet të bëjmë gjithçka për të çarmatosur terroristët shqiptarë", tha Putin pak para se të arrinte në Aeroportin e Prishtinës. Kjo ishte hera e parë që ai vizitoi Kosovën, por jo hera e fundit që do të fliste për të.

Më 17 shkurt të 2008-ës pjesa më e madhe e botës (109 shtete) vendosën se Kosova duhet të shpallej zyrtarsisht një shtet i pavarur, pavarësisht notave të ashpra të protestës nga Serbia dhe Rusia. Që nga ajo ditë e në vazhdim, Presidenti Vladimir Putin ka akuzuar vazhdimisht Europën dhe Shtetet e Bashkuara për standarde të dyfishta, duke përmenduar të gjitha rajonet separatiste që kërkojnë pavarësinë dhe duke e konsideruar pavarësisë së Kosovës si “të paligjshme dhe imorale”. Ndryshe nga Perëndimi, Rusia ka mbështetur për vite të tëra Serbinë, duke e cilësuar ndërhyrjen në Kosovë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Madje Rusia e la përdorur vazhdimisht Kosovën si një mundësi strategjike për të rivendosur rolin e saj në sistemin ndërkombëtar.

Por gjërat duket se kanë ndryshuar pas vizitës së fundit të Presidentit Hashim Thaçi në Paris. Presidenti i Kosovës zhvilloi një takim me shefin e Kremlinit, duke marrë “bekimin” e tij për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës. Edhe pse për shumicën e shqiptarëve të Kosovës qëndrimi i Putinit erdhi si një surprizë e papritur, ai është shprehur po aq “mendjehapur” edhe gjatë vizitës së fundit të Aleksandër Vuçiç në Moskë, ku ka deklaruar se Rusia do të mbështeste të gjitha vendimet që pranoheshin si nga Serbia, ashtu edhe nga Kosova. Ajo që ishte edhe më surprizuese për analistët ishte “fleksibiliteti” i zotit Thaci, i cili në fillim të këtij viti kishte shkruar një editorial për Forumin Ekonomik Botëror, duke akuzuar Rusinë se po përpiqej të rrënonte shtetin e Kosovës. Por pas vetëm dhjetë muajsh, ai takoi homologun e tij rus në Paris, duke mbajtur një qëndrim diametralisht të kundërt.

Presidenti Vladimir Putin

“Rusia po përpiqet të rrënojë shtetin e Kosovës”, shkruante presidenti . “Përpjekjet e koordinuara nga Moska përmes kanaleve të propagandës, inteligjencës, hakerave dhe pjesëmarrësve politikë kanë një qëllim të qartë. Ata duan të shkatërrojnë lidhjet e besimit ndërmjet qytetarëve dhe qeverive brenda shteteve perëndimore dhe atyre që përkasin NATO-s dhe BE-së, por edhe më gjerë”, shtonte më tej ai.

Të të njëjtit mendim ishin edhe analistët perëndimorë, të cilët shkruajnë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë kthyer së fundmi në fushëbetejën e fuqive të mëdha, pasi Rusia ka filluar të përdorë rajonin për ta pozicionuar veten si një superfuqi në arenën ndërkombëtare. Duke u mbështetur në lidhjet sllave me disa nga vendet e Ballkanit, ajo është përpjekur të legjitimojë praninë dhe të rrisë ndikimin e saj në rajon . Sipas tyre aktualisht, Moska është duke u përpjekur të luajë një rol në zhvillimet e rëndësishme të politikës ballkanike, duke u përqendruar sidomos tek tensionet e fundit rajonale që rrethojnë Serbinë dhe Kosovën.

Por çfarë u bisedua gjatë takimit Thaçi-Putin dhe a u prek tema e kufijve? Çfarë do të fitonte Putin nga ndryshimi i kufijve të Kosovës dhe kush po lobon pa fund për një marrëveshje e tillë?

Prishtina “zien” nga debatet

Takimi me presidentin rus ka ngjallur një sërë debatesh në Prishtinë, si nga ana e politikanëve ashtu edhe qytetarëve. Partitë e opozitës kanë reaguar duke thënë se presidenti i Kosovës po kërkon të krijojë aleanca të reja, të cilat janë të rrezikshme për vendin. Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu ishte e para që tha se një takim i tillë pritej, sepse presidenti Thaçi po kërkon aleatë të rinj.

"Ai u takua me Putin për të zëvendësuar Gjermaninë me një vend të tillë si Rusia. Prandaj, po përpiqet të hyjë në një marrëdhënie të re me Serbinë dhe Rusinë. Për partinë tonë, kjo është e papranueshme ", tha Haxhiu.

Takimi i Presidentit Hashim Thaçi dhe Vladimir Putin në Paris. 

Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Arben Gashi tha se është detyra e presidentit të mbajë takime me zyrtarë të huaj, por sipas tij, gjërat që ai diskuton duhet të bëhen publike. Ai shprehte shqetësime nëse dy presidentet kishin diskutuar për kufijtë e Kosovës. "Ne duhet të dimë se çfarë ka diskutuar dhe nëse çështja e territorit të Kosovës është diskutuar. Nëse kjo është diskutuar së bashku me idenë e presidentit për korrigjimet kufitare, atëherë kjo është një shkelje e rëndë", tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbajti një qëndrim disi më të ekuilibruar, duke deklaruar se Kosova takon “sferës së interesit amerikan dhe evropian”. “Ne jemi në konflikt me sferën e interesit rus”, është shprehur Haradinaj. “Kjo dihet, s’ka dilemë. Konflikti është diku pranë kufijve tanë”, ka thënë ai.

Megjithatë, kryeministri e ka “justifikuar” takimin Thaçi-Putin në Paris, ku dy presidentët kanë shkuar për të marrë pjesë në ceremoninë e 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore, duke thënë se “takime të tilla në këto ngjarje edhe mund të ndodhin”. Shefi i ekzekutivit ka kujtuar se në të kaluarën “ka pasur disa sugjerime prej amerikanëve që përfaqësuesit e shtetit të Kosovës të takoheshin me rusët”. “Nëse është me sugjerim të aleatëve, ka logjikë”, shprehet Haradinaj.

Por për deputetin Rexhep Selimi, ky është një zhvillim shumë shqetësues. Në një intervistë televizive ai ka paralajmëruar se Kosova do ta paguajë shtrenjtë këtë veprim të Thaçit. Sipas Selimit, Putini është presidenti rus më anti-shqiptar.

“Takimi i Thaçit me Putinin për mua dhe qytetarët është shqetësues. Putini është armiku ë madh Kosovës”, thotë deputeti. “Nuk duhet të takohemi me një njeri që vazhdon të mbajë qëndrim armiqësor ndaj nesh” arsyeton ai. “Do ta paguajmë shumë shtrenjtë këtë takim”.

Kryeministri Ramush Haradinaj

Nga ana tjetër, sipas Lumit Abdixhiut, deputetit të Vetëvendosjes, ky nuk ishte një takim i rastësishëm, pasi Thaçi sipas tij e ka planifikuar prej muajsh. Ai shprehet madje se edhe Tirana zyrtare po shtyn papara idenë e ndarjes së Kosovës.

Por përse mbështet Putin ndryshimin e kufijve të Kosovës?

Ndërkohë që Prishitna “zien” nga reagimet, gazetari britanik, Tim Judah, ka deklaruar në një intervistë se Rusia do të përfitonte shumë nëse rezultati i negociatave Beograd-Prishtinë do të ishte njohja e Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve.

“Rusia mund të përdorë këtë precedent përpjekje për të siguruar marrëveshje të ngjashme për territoret e shkëputa nga kontrolli i saj në Moldavi (Transnistria) dhe Gjeorgji (Osetia e Jugut dhe Abkhazi), ka thënë Judah për agjencinë Beta. Duke komentuar takimin Putin-Thaçi, Judah kujton se në vitin 2014, kur Rusia mori Krimenë, Putini e përmendi Kosovën si precedent.

“Pra, është logjike që në të ardhmen Kosova të përdoret për përfitimin e Rusisë”, shtoi ai. Sipas gazetarit britanik, takimi mes dy presidentëve në Paris ishte një shenjë se Rusia do të mbështeste idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Putini tha se do të mbështeste gjithçka për të cilën do të bihen dakort Serbia dhe Kosova. Nëse do të ishte kundër, do ta thoshte qartë, si kancelarja gjermane Angela Merkel, por ai tha se do të mbështeste çfarëdo marrëveshje që arrijnë Prishtina dhe Beogradi, dhe ky është thelbi i asaj që po diskutohet", shprehet Judah. Sipas vlerësimit të analistit, mesazhi i dërguar nga takimi Putin-Thaçi për presidentin serb Aleksandar Vuçiq është:”Vazhdo”.

“Për Putinin është më mirë të mbështesë ndryshimin e kufijve të Kosovës, veçanërisht pasi Rusia ka njohur Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë dhe tani ka një problem me Ukrainën”, deklaroi gazetari. “Ndryshimi i kufijve të Kosovës do t’i hapte rrugën Putinit që Rusia të legalizojë konfiskimin e territoreve nga shtetet fqinje”, tha Judah.

Në fakt, pavarësia e Kosovës ishte një humbje e madhe shpirtërore si për Serbinë, ashtu edhe për Rusinë, e cila u detyrua të pranonte një rezolutë paqeruajtëse, pas sulmeve ajore amerikane kundër Serbisë, pavarësisht lidhjeve të Moskës me Beogradin dhe interesave ruse në Ballkan. Ky hap pasqyroi dobësinë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Pavarësisht zemërimit ndaj veprimeve ushtarake së NATO-s në vitin 1999, ka pasur pak udhëheqës rusë që mendonin se mund t’i kundërpërgjigjeshin ndërhyrjes së Perëndimit në Kosovë. Megjjithatë, “hakmarrja” e Rusisë erdhi disa vite më vonë, kur Putin aneksoi Krimenë nga Rusia, duke ngritur paralele të ngjashme midis saj dhe Kovovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiç dhe Vladimir Putin 

Serbia e “tronditur”?

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiç ka deklaruar se është tronditur kur ka parë fotot e Thaçit me Putinin.

“Ne jemi të tronditur nga fotoja e dy presidentëve, por të gjithë kanë politikat dhe pozicionet e tyre ashtu si edhe vetë Serbia”, tha ai. “Thaçi është i lirë të ndjekë Putinin, por ai nuk do të marrë mbështetjen për asgjë me të cilën nuk pajtohet Serbia,” shtoi presidenti gjatë një konference shtypi.

Kreu serb është i bindur se edhe Rusia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për të mbështetur Serbinë në çështjen e Kosovës dhe se do të vazhdojë të qëndrojë me Beogradin, siç ka bërë deri më tani.

Vuçiç tha madje se nuk e dinte se kur ishin takuar dy liderët dhe se e mori vesh nga fotografitë në shtyp. “Nuk është puna ime. Nuk na takon ne të komentojmë apo vëzhgojmë politikat e një fuqie të madhe si Rusia ”, tha ai.

Beogradi po mundohet të balancojë prej kohësh afrimin me Rusinë dhe negociatat me Brukselin. Serbia po përpiqet të lëvizë drejt anëtarësimit në BE, por njëkohësisht të forcojë lidhjet tradicionale me Moskën. Vuçiç po angazhohet për balancimin e këtyre lidhjeve duke e çuar Serbinë drejt modelit të premtuar nga BE-ja për standarde më të larta jetese, punë pa viza dhe udhëtim në të gjithë Europën, si edhe heqjen e barrierave tregtare.

Por për të mbajtur anën e Rusisë, Serbia refuzon të anëtarësohet në NATO dhe premton ruajtjen e neutralitetit ushtarak në rajon. Duke folur për miqësinë serbo-ruse, ministri i Jashtëm Daçiç tha së fundmi se: “Perëndimi mund të blejë gjithçka në botë përveç miqësisë dhe vëllazërisë së Serbisë dhe Rusisë. Moska ka qenë, mbetet dhe do të vazhdojë të jetë partneri ynë strategjik”, tha ai.

Por pas takimit me kreun e Kosovës, ekuilibratdelikat të marrëdhënieve ruso-serbe mund të ndryshojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë