Financa Personale

Pse energjia faturohet aforfe dhe uji sipas sahatit? Qytetarët, të pakënaqur e dyshues

Nga Sabina Veizaj - Edhe pse këtë javë pati ditë me shi, jashtë dyerve te një nga pikat e OSHEE-së në Tiranë, qytetarët rrinin në radhë duke ruajtur distancën e kërkuar për shkak të Covid-19 për të paguar faturën e energjisë elektrike të muajit mars.
“Unë sot lejen time të marrë tek e-Albania po e shpenzoj për të qëndruar në radhë tek OSHEE dhe përse? Për të paguar një faturë energjie që nuk e di se sa është, sepse sipas një vendimi të ERE-s do të jetë sa marsin e kaluar. Nuk e kuptoj fare. Ata që rrezikojnë, jemi ne qytetarët që vijmë këtu mbajmë radhën. Punonjësit e OSHEE-së, ata që lexojnë sahatët pse rrezikojnë? Ata dalin në terren një ose dy veta dhe kanë kontakt vetëm me objektin (sahatin), pse ne dalim e qëndrojmë në radhë këtu, kurse punonjësit rrinë në shtëpi e ne duhet të paguajmë një faturë aq sa të vitit të kaluar? Unë nuk e di pse-në e vërtetë, po këtu diçka ka, e sigurisht jo për të mirën e ne qytetarëve, e sidomos ne që jemi të rregullt”, thotë Agimja, një mësuese në një shkollë fillore në kreyqytet.
Një tjetër zonjë tek pika e OSHEE tek qendra “Kristal” ka bërë pagesën prej 11 mijë lekësh, po aq sa marsin e 2019-s.
“Unë jam ekonomiste dhe nuk lejoj të ma hedhë njeri. Kam paguar sa marsin e kaluar; 11 mijë lekë. Kam shtëpi private. Por pashë që kishin dalë edhe kilovatët e prillit dhe kam frikë mos nuk më zbresin marsin, prandaj do të telefonoj menjëherë faturisten”, më tregon ajo teksa ngre telefonin për të komunikuar.
Në të njëjtën pikë pagese të faturave të energjisë elektrike është edhe një studente e cila jeton vetëm. “Nuk marr vesh fare se ç’bëhet, por unë nuk dyshoj tek shuma që paguaj sepse jetoj vetëm dhe harxhoj pak, pothuajse kam të njëjtën shumë çdo muaj, 2 mijë lekë”, thotë studentja.
Që kur nisi periudha e izolimit , të paktën në mars, OSHEE ka vendosur që t’i faturojë familjet sipas faturës së muajit mars të një viti më parë, në 2019. Kompania e cila ka marrë edhe miratimin e Entit Rregullator është justifikuar se “me aktet normative në fuqi e ka të pamundur aksesimin e sistemit të matjes dhe leximin. Përgjatë kësaj periudhe dhe sasia e klientëve të cilët janë të paaksesueshëm dhe e kanë të pamundur leximin në vend, është shumë e madhe.”
Megjithatë OSHEE thotë se pavarësisht vendimit për muajin mars, janë aksesuar 800 mijë abonentë ose mbi 66% e tyre dhe janë aplikuar vlerat e referencës vetëm për 400 mijë subjekte ose 34% të tyre.
Por në një dyqan perimesh mbi “Komunën e Parisist” i zoti dyqanit thotë: “Nuk ka ardhur njeri të lexojë sahatin, kemi qenë gjithë kohën të hapur. Nuk di fare sa do paguaj sepse nuk kam shkuar për të bërë pagesën e marsit. Por në shtëpi më kishte ardhur fatura 8 mijë lekë, teksa kam qëndruar gjithë muajin tek prindërit sepse nuk kam dashur të përdor makinën dhe dyqanin e kam pranë shtëpisë së tyre”.
Teksa po mbushte qesen me brokoli dhe dëgjon bisedën, një zonjë ndërhyn duke u ankuar: “Vajza ime banon tek “Kodra e Diellit” dhe është alarmuar nga fatura e marsit, 20 mijë lekë. Nuk kishte paguar kurrë në jetën e saj një faturë të tillë të kripur, edhe pse në televizor thanë që do të paguhet fatura e marsit të 2019-s. Këta përfitojnë nga situata”.
Megjithëse ka kalur një muaj që kur u mor ky vendim ai sërisht mbetet i çuditshëm dhe nuk bind shumë për argumentin.
Ku ka një biznes apo familje, ka gjithnjë të paktën jo vetëm një matës të energjisë elektrike por edhe një sahat që mat konsumin e ujit. Duke qenë se shërbimi nga konsumatorin si për energjinë ashtu edhe për ujin e pijshëm kanë të njëjtën natyrë, Gazeta “Si” pyeti ujësjellësin e Tiranës duke menduar se edhe ata “do ta kishin të pamundur sikundër tha OSHEE, për të shkuar tek çdo subjekt apo familje për të kontrolluar sahatët dhe llogaritur konsumin.” Por nuk ishte e njëjta përgjgje.
Ujsjellësi i Tiranës i tha Gazetës “Si” se ata po vazhdojnë punën njësoj. “Ujësjellësi nuk ka zbatuar vlera reference për konsumatorët, por ka matur konsumin sipas praktikës së zakonshme të ndara në zona dhe nënzona, si për konsumatorët familjarë, ashtu edhe bizneset (të hapura dhe të mbyllura)”, i tha Gazetës “Si” zëdhenësja e Ujësellësit të Tiranës, Bruna Baruti.

Faturat e ujit vaz hdojnë të vijnë rregullisht, sipas leximit përkatës të çdo muaji

Faturta e printuara të ujit ashtu edhe si përpara izolimit kanë mbërritur tek konsumatori njësoj, të printuara dhe poshtë derës edhe kur ato shtëpi apo subjekte kanë qenë mbyllur. Dy shërbime njësoj, dy mënyra të ndryshme: energjia llogaritet aforfe, uji sipas konsumit?!
Por veç familjarëve të habitur për këtë vendim që thonë se në këtë kohë izolimi janë të gjithë në shtëpi dhe është i pamundur mosaksesi në sahatë pasi ato ndodhen në pjesën e jashtme të ambienteve, kundërshtimi më i fortë vjen nga bizneset, kryesisht ato që janë mbyllur me vendim qeverie për shkak të situatës.
Ata thonë se punonjësit e Ujësjellësit kanë shkuar të masin konsumin e ujit, “OSHEE pse jo”?
Për biznesin OSHEE do ta faturojë energjinë për 15 ditë sipas faturës së muajit mars të vitit të kaluar.
Albert Nasto, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël, shumë i indinjuar thotë se vetë nuk ka për ta paguar faturën e energjisë elektrike të muajit mars.
“Pse duhet të paguaj unë faturën e energjisë kur nuk kam punuar. Kam dyqan veshmbathjesh dhe e kam mbyllur menjëherë pasi vendosi gjendjen e izolimit qeveria dhe kam punuar 13 ditë nga muaji mars. Këta thonë paguaj faturën e marsit të kaluar ose 15 ditë. Unë nuk kam punuar 15 ditë. Mirë unë që e kam dyqan dhe nuk harxhoj energji, e di çfarë do të thotë për një lokal apo restorant që janë konsumuesit më të mëdhenj të energjisë që të paguajnë 1,2, 3, 4 ditë më shumë energji të paharxhuar prej tyre për të mbushur arkën e OSHEE-së?”, thotë për Gazetën “Si” Albert Nasto.
Ai tregon për Gazetën se një anëtar i shoqatës që është zotërues i një bari në kryeqytet paguan mesatarisht për çdo muaj në vit 150 mijë lekë (të reja) energji elektrike.
“Nuk e ka paguar ende faturën e marsit, por i kishin thënë që do ta paguajë të plotë. E di çfarë do të thotë për një biznes të tillë të paguajë këtë faturë në një kohë kur qëndron në shtëpi dhe ka të ardhura zero?”, shprehet z.Nasto.
Edhe Gjergj Buxhuku i Konfindustrisë konfirmon për Gazetën “Si” se disa hotele, anëtare të shoqatës, të cilët kanë qenë të mbyllur gjatë muajit mars, e kanë paguar të plotë faturën me vlerë reference të një viti më parë.
OSHEE nuk ka sqaruar konkretisht se pse e ka pasur të pamundur të aksesojë 34% të abonentëve të saj për të matur energjinë por konsumatorët janë shumë dyshues”
“Unë nuk e di pse-në e vërtetë, po këtu diçka ka, e sigurisht jo për të mirën e ne qytetarëve, e sidomos neve që jemi të rregullt”, thotë mëseuse Agimja, që nuk dëshiron të fotografohet se thotë “kam frikë se rrezikoj vendin e punës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë