Kuriozitete

Pse disa persona pickohen më shumë nga mushkonjat?

Jo të gjithë njerëzit pickohen njësoj nga mushkonjat. Disa janë më të preferuar prej tyre, të tjerë më pak. Por cilat janë arsyet?

Ka disa faktorë që e bëjnë një person më tërheqës se një tjetër për mushkonjat, që nga grupi i gjakut, deri te ngjyra e rrobave që mbani veshur.

Për grupin e gjakut, një studim i publikuar në “Smithsonian Magazine” ka dalë në përfundimin se njerëzit me grupin e gjaku 0 janë më të preferuarit për mushkonjat, ndjekur më pas nga ata me grup gjaku B dhe në fund grupi i gjakut A, si më pak i preferuari.

Faktori i dytë është aroma e trupit. Sa më shumë të djersini, aq më shumë mund t’ju pickojnë mushkonjat. Djersitja çliron acid laktik dhe amoniak, dy substanca që shtojnë oreksin e mushkonjave.

Faktori tjetër është frymëmarrja. Sa më e shpeshtë qoftë ajo, si shembull gjatë një aktiviteti fizik, aq më shumë mund të tërheqë mushkonjat. Arsyeja është dioksidi i karbonit. Mushkonjat e nuhasin CO2 dhe e përdorin për t’u orientuar në gjetjen e ‘presë’ së tyre.

Faktori i katërt është ngjyra e rrobave që mbajmë veshur. Mushkonjat priren që të tërhiqen më shumë nga ngjyra e kuqe, portokalli dhe ajo e zezë. Ngjyrat më pak tërheqëse për to janë jeshilja, ngjyra e purpurtë, bluja dhe e bardha.

Kombinimi i gabuar i gjithë këtyre faktorëve mund të çojë që mes një, apo një grupi personash në të njëjtin vend, mushkonja t’ju zgjedhë ju për t’u ushqyer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë