Politike

Pse debati për ndryshimet kushtetuese po kalon në nivel politik dhe loja e Ramës me listat…

Përfaqësimi i kryeministrit Rama në krah me Taulant Ballën dhe jo Damian Gjiknurin në takimin me opozitën parlamentare, i ka dhënë negociatave për zgjedhoren një karakter krejtësisht politik.

Është e tillë edhe për një fakt tjetër, sepse referuar burimeve të gazetës ”Si”, as Damian Gjiknuri dhe as Oerd Bylykbashi nuk po negociojnë për paketën e ndryshimeve kushtetuese që kërkojnë një grup deputetësh të opozitës parlamentare të drejtuar nga Myslim Murrizi, që konsiston në listat e hapura, ndalimin e koalicioneve parazgjedhore dhe vendosja e pragut 5% për partitë e vogla për hyrjen në parlament.

Gjiknuri dhe Bylykbashi nuk i janë qasur këtij debati, duke punuar vetëm për ligjin e ri zgjedhor të 5 qershorit që për hir të së vërtetës nuk është vendosur koha se kur do të kalojë për votim në seancë.

Partia Demokratike kërkoi me ngulm që Kodi i ri Zgjedhor të kalojë të enjten në seancë, përmes një kërkese publike kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, me argumentin se kalimi i ditëve do të sillte vonesa për ngritjen e re të KQZ-së dhe mundësimin e identifikimin biometrik.

Kërkesës së PD-së iu përgjigj vetë Rama në Kuvend kur tha se ultimatume të tilla nuk mund të pranohen.

Ndërkohë, një ditë më parë, kreu i ekzekutivit lëshoi “shashkën” politike kur tha se ishte e mundur gjetja e një formule për listat e hapura porse edhe për këtë çështje, sipas tij, duhej një pakt trepalësh, pra duhej përfshirë edhe PD.

“Ne jemi të gatshëm të konsiderojmë një formulë të hapjes së listave, të diskutojmë për ta formalizuar përgjatë procesit të diskutimeve dhe për të arritur në një konsensus tre palësh.

Në një konsensus trepalësh askush nuk do marrë gjithçka që dëshiron, të tria palët do të duhet të pranojnë diçka që nuk dëshirojnë, por e rëndësishme është që të gjithë të kenë zë në proces…”, tha Rama pas takimit me Myslim Murrizin, Edmond Stojkun dhe Rudina Hajdarin.

Deri të mërkurën në mesdite nga PD-ja nuk ka ndryshim qëndrimi. Për ta, negociatat teknike janë mbyllur dhe diskutimi për lista të hapura apo edhe koalicione parazgjedhore të paktën në nivel ekspertësh nuk po diskutohet më.

Gjithçka me gjasë do t’i kalojë një debati politik që pritet të zgjasë deri në fund të muajit korrik, pasi burime paraprake nga PS-ja sqarojnë se Kodi i ri Zgjedhor dhe propozimet e deputetëve të opozitës parlamentare sipas të gjitha gjasave do të kalojnë në Kuvend në fund të muajit.  Sepse ndërhyrja në Kushtetutë (nëse pranohet ndonjë kërkesë e opozitës së re), automatikisht kërkon edhe ndërhyrje në Kod.

Ka vetëm një zë publik për këtë çështje nga PS. Edhe ai, i përcjellë përmes një prononcimi për mediat dhe jo deklaratë nga selia. Deputeti i PS-së, Alket Hyseni, tha pak ditë më parë se shumica socialiste ka vendosur që draftin e miratuar me PD-LSI dhe propozimet e opozitës në Kuvend të kalojnë për votim si një draft i vetëm.

“Ne duam që të gjitha këto të konvertojnë në një draft të vetëm, draft i cili mundësisht të jetë sa më afër qëndrimit të të gjithëve, dhe të realizojë atë që shqiptarët duan”, tha Hyseni

Listat e hapura

Edhe në një diskutim hipotetik për listat e hapura, partitë kryesore në vend duken pesimiste pasi ky proces do të sillte jo vetëm ndërlikim në administrimin e votave dhe proçesin e numërimit, por edhe  kaos me vetë kandidatëve që do të krijonin jo pak klane brenda partisë për të siguruar kush e kush më shumë vota.

Opozita e re në Kuvend po kërkon që sistemi i ardhshëm elektoral të mos mbështetet më mbi listat e mbyllura, por për çdo qark listat të jenë të hapura, ku renditja e kandidatëve të bëhet sipas numrit të votave.

Përmes listave të hapura, votuesi ka mundësi të zgjedhë një ose më shumë kandidatë në listën për deputetë që ka secila nga partitë.

Pas numërimit të votave të partive dhe ndarjes së mandateve në bazë të rezultatit, vijohet me procesin e dytë atë të votave të kandidatëve.

Përshembull nëse një subjekt politik siguron 6 mandate në një zonë të caktuar, deputetë bëhen 6 kandidatët që janë votuar më shumë nga populli pavarësisht renditjes që ata kanë në listë.

Nga PS-ja po diskutohet ideja që nëse listat e hapura do të pranohen, atëherë do të duhet te hiqen edhe koalicionet parazgjedhore për të thjeshtuar procesin.

Deri më tash, gjithçka mbetet në kufijtë e diskutimit sa kohë që edhe vetë Rama nuk e shprehu qartë qëndrimin e tij as në takimin me deputetët e tij kur tha se listat e hapura dhe koalicionet janë çështje që do të marrin diskutim në varësi të zhvillimeve politike. Dhe deri në fund të muajit korrik, gjithçka mund të ndodhë...

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë