Muzike

Pse Beethoveni? 11 përgjigje nga dirigjenti Kent Nagano: Si e ka ndikuar botën

Në vitin e 250-të pas lindjes së Ludwig van Beethoven-it, Kent Nagano reflekton për mënyrën se si ndikoi Beethoveni në histori – edhe përtej fushës së ngushtë të muzikës klasike.
1. Jeta koncertore sot do të ishte krejt ndryshe, pa Beethovenin. Sinfonitë dhe koncertet e tij solistike në veçanti kanë ndihmuar në institucionalizimin e gjërave që ne i konsiderojmë si të natyrshme sot: sistemin e orkestrës, seritë e koncerteve, ditët përkujtimore muzikore dhe festivalet.
2. Shprehja e thellë e humanizmit që ngërthen muzika e Beethoven-it pasqyron idealet e iluminizmit: të drejtën për liri dhe drejtësi, për vetëvendosje, individualizmin dhe përparimin njerëzor. Koha e Beethoven-it ishte një kohë trazirash, lufte dhe nacionalizmi, por edhe një kohë në të cilën lindën koncepte të reja të individit, shoqërisë dhe botës. Në këtë kohë të ndryshimeve rrënjësore njerëzit duhet të luftonin për dinjitetin e tyre, për lumturinë e tyre – dhe të merrnin edhe përgjegjësinë për këtë. Për këtë mënyrë të re të menduari, Beethoveni kompozoi muzikën përgjegjëse duke komunikuar në të idealin e një bote më të mirë, më humane.
3. Beethoveni shkroi muzikë që flet për humanizmin dhe për përvojën njerëzore. Shpesh, p.sh. në një koncert live, mund të dallosh në të tensionin midis individit dhe shoqërisë. Veprat pasqyrojnë edhe vlerat e shoqërisë borgjeze që po shfaqeshin në kohën e Beethoven-it. Këtu bën pjesë vlera e punës, e ideve, e ndjeshmërisë dhe e emocionalitetit. Pra, muzika e Beethovenit ndonjëherë ka edhe përmbajtje politike, të cilat mund të dallohen përmes përkapjes së publikut ndër vite. Kent Nagano dëgjon tërë gamën e përvojës njerëzore në muzikën e Beethovenit
4. Kompozimet e Beethoven janë të një cilësie të shkëlqyer. Veprat e tij ishin dhe janë një sfidë, si në aspektin e teknikës së interpretimit, ashtu edhe për t’i interpretuar.
5. Beethoven ishte mjeshtër i zhanreve të ndryshme muzikore: muzikë solistike për piano, muzikë dhome, sinfoni, oratorio, opera etj. Ai u përqëndrua në veçantitë e zhanrit përkatës dhe vendosi standarde në to.
6. Ai ndihmoi të krijohej një lloj i ri kompozitori, ai që nuk ndihej i detyruar ndaj kishës ose autoriteteve, por vetëm ndaj zërit të tij të brendshëm. Në përputhje me shoqërinë që po lindte të kohës së tij, ai gjeti forma të reja të shprehjes muzikore. Me Beethovenin erdhi koncepti i detyrimit artistik dhe i vërtetësisë artistike. Kjo rezultoi në një kuptim të ri të muzikës si një formë të artit shoqëror.

Partitura e Ludwig van Beethovenit i “Sinfonisë së Nëntë”, premierë në 1824

7. Ky kompozitor u bë figurë udhëheqëse e muzikës së kohës së tij: të gjithë të tjerët duhet të mateshin me të. Humanizmi në muzikën e tij ishte lënda për legjendën, për stilizimin dhe ikonizimin e figurës së Ludwig van Beethoven-it.
8. Ai ndryshoi mënyrën se si e dëgjojnë dhe e kuptojnë njerëzit muzikën. Muzika e tij u përhap me shpejtësi në formën dhe ritualin e koncertit publik – dhe përtej vlerës thjesht argëtuese ose vlerës së shpërqendrimit, shumë njerëz rizbulonin veten në të. Ajo përmban mesazhin e përvojës jetësore individuale, subjektive të vetëperceptimit ekzistencialist.
9. Në muzikën e Beethovenit dëgjon përparim dhe zhvillim të mëtejshëm. Shpesh ajo duket se flet për të ardhmen ose proceset e ndryshimit. Kemi të bëjmë me një muzikë të guximit dhe optimizmit, gjallërisë dhe energjisë, plotërisë dhe lëvizjes – dhe ajo shkakton në të dëgjuar, një përjetim sensual, shpirtëror. Ndonjëherë në të tingëllojnë edhe shqetësime, dyshime për idenë e përparimit ose për aftësinë e njeriut për t’u zhvilluar në mënyrë cilësore. Mbi të gjitha, vepra e viteve të vona rrezaton ndonjëherë edhe skepticizëm, ose mund ta perceptosh si diçka medituese ose si vetëreflektim.
10. Muzika e Beethovenit të shtyn përpara, ajo vazhdon, shpërthen kufijtë e së dhënës, të të paracaktuarës ose të asaj që tashmë ekziston. Ajo vë në dyshim rëndësinë e së transmetuarës dhe nënkupton idenë e përparimit përmes iluminizmit.
11. Muzika e Beethovenit është universale. Ajo komunikon jo vetëm me një pjesë të zgjedhur të shoqërisë, por dëshiron të arrijë tek të gjithë. Arti i tij i përjetshëm është i vendosur përtej kufijve të të gjitha tendencave të modave. Ai pasqyron të vërteta të caktuara – dhe njerëzit kanë nevojë për këtë të vërtetë.
Kent Nagano është pjesë integrale e jetës muzikore në Gjermani prej dekadash. Nga viti 2000 deri në vitin 2006 ai ishte dirigjenti kryesor i Orkestrës Sinfonike Gjermane Berlin (DSO) dhe nga 2006 deri 2013 Drejtor i Përgjithshëm i Muzikës i Operës Shtetërore të Bavarisë në Mynih. Që nga viti 2015 ai është Drejtor i Përgjithshëm i Muzikës në Operën Shtetërore të Hamburgut.
Maestroja amerikan është edhe një komunikues pasionant muzikor dhe e shpjegon muzikën klasike në libra, transmetime dhe dokumentare. Në librin e tij “Prisni mrekulli!” ai shpjegon se sa e rëndësishme është muzika klasike në jetën moderne dhe se si mund të ofrojë ajo mbështetje dhe orientim të nevojshëm në një epokë të kompleksitetit të pashembullt.
/DW


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë