Kosova

‘UÇK-ja nuk mund të gjykohet’ PSD proteston me gaz lotsjellës, arrestohet Dardan Molliqaj dhe 5 aktivistë të tjerë (foto, video)

Nga Gazeta 'Si' - Partia Socialdemokrate (PSD) protestoi kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke hedhur flakadanë që krijuan tym të madh pranë një hoteli në Prishtinë, ku ajo po mbante takim me shoqërinë civile.

Protestuesit mbajtën në dorë pankarta me mbishkrimin “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “UÇK-ja është përpjekja për liri”, dhe “Trendafilova out”, si dhe brohoritën “Poshtë Gjykata Speciale”.

Më pas aktivistët kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Policia arrestoi disa prej anëtarëve të kësaj partie, e cila nuk përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës, mes tyre edhe kryetarin Dardan Molliqaj.

Të tjerë të arrestuar janë aktivistët Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi. 

Duke folur para se protesta të përshkallëzonte, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se u mblodhën përballë hotelit për ta kundërshtuar vizitën e Trendafilovës në Kosovë.

“Sa herë që kemi qenë më afër Serbisë dhe marrëveshjeve të këqija me Serbinë, ka pasur përndjekje të UÇK-së. Gjykata e ka në mandat ta ndjekë vetëm UÇK-në, është më e keqe se njëetnike. Ne duhet dhe do ta pengojmë këtë takim. Takimi ka filluar ndërsa ne e vazhdojmë protestën”, tha Molliqaj.

Partia Socialdemokrate ka protestuar kundër Trendafilovës edhe në të kaluarën.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Gjykata e ka selinë në Hagë, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Gjykata Speciale i ka dënuar dy pjesëtarë të OVL së UÇK-së, Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin në maj të vitit 2022 për pengim të administrimit të drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë