Politike

PS zgjedh kongresistët dhe teston votimin elektronik

Partia Socialiste është në procesin e zgjedhjes së delegatëve për Kongresin e ri. Procesi nisi në orën 8:00 të ditës së shtunë në të gjitha degët e partisë në të gjithë vendin.

Votimi kryhet sipas parimit “një anëtar, një votë”, ndërkohë që në këtë proces në disa qëndra u testua votimi elektronik. Më herët, Sekretari për Marrdhëniet me Mediat, Alfred Peza dha detajet, sipas të cilave në garë janë rreth 1500 kandidatë për 706 delegatë.

“Për këtë proces, janë të regjistruar në listat e votimit 103056 anëtarë partie, prej të cilëve 27732 janë anëtare gra. Në fletët e votimit për delegatët janë regjistruar 1496 kandidatë për delegatë të Kongresit. Nga ky numër i kandidatëve për delegatë, do të dalin 706 delegatë të Kongresit, të zgjedhur drejtpërsëdrejti nga gjithë anëtarësia e Partisë Socialiste, në të gjithë vendin”, tha Peza.

Për këto zgjedhje brenda partisë, PS testoi edhe votimin elektronik në njësinë nr.8 në Tiranë. Pikërisht këtu votoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili në përfundim të procesit la të hapur mundësinë që votimi elektronik “offline” të përfshihet në Kodin Zgjedhor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë