Politike

Gjiknuri i dorëzon stafetën Klosit: Në drejtimin tim, PS arriti fitore historike, s’ndihem i braktisur nga Rama, por posti të nxjerr dobësitë e karakterit

Paralelisht me mbledhjen e qeverisë në Tepelenë, nga selia e PS-së nisën lëvizjet e para.

I komanduar deri në shtator si Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, lajmëroi një bashkëbisedim për mediat nga selia e partisë aty ku dalja e fundit ishte për fitoret njëpasnjëshme nga zgjedhjet e 14 majit.

Në këtë konferencë, Blendi Klosi tha se do të përcaktojë objektivat si forcë politike që do t’i paraprinë më pas vendimeve që do të merren në kongresin e jashtëzakonshëm të PS në vjeshtë

Në fillim të konferencës ishte Damian Gjiknuri që i kaloi stafetën Blendi Klosit ku nuk la pa theksuar fillim e mbarim të fjalës së tij se PS-ja kishte korrur fitore historike, porse sipas tij edhe në rezultat fitore volitet për riorganizim.

Ne foto: Damian Gjiknuri

 “Rezultati në 2021 ka qenë rezultat historik dhe PS sërish iu nënshtrua edhe atëherë riorganizimit, gjatë punës sime ka qenë një punë intensive. Në zgjedhjet e fundit PS ka arritur të marrë një fitore historike edhe atëherë PS iu nënshtrua zgjedhjeve duke e bërë këtë forcë politike një organizatë permanente me kapacitet me të dhëna të mjaftueshme...”, tha ai, duke nënvizuar më pas se sekretariati u shkri me nevojën e riorganizimit të partisë sepse “në shtator PS do futet në proces zgjedhjesh të gjithë organizatave”

Gjiknuri tha se nuk ndihet i braktisur nga kryetari i partisë dhe se më këtë të fundit ka një marrëdhënie të qëndrueshme pune në afërsi dhe distancë aq sa i lejon pozicioni i gjithesecilit prej 20 vitesh.

Gjiknuri tha se nuk ishte e papritur lëvizja e tij, se ishte mësuar me ndryshime por nuk i fshehu hatërmbejtjet ndër rreshta.  

“Njeriu në pozicione të ndryshme tregon edhe veten e tij, posti nuk të jep forcë por të nxjerr në pah dobësitë e karakterit...”, tha ai.

Gjiknuri tha se është i hapur edhe për drejtesinë.

Sekretari i sapoemëruar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi tha se marrja përsipër e kësaj detyre është tepër e rëndësishme dhe kërkon një angazhim maksimal, për ta çuar para këtë forcë politike, e cila sipas tij ka dëshmuar se dita e zgjedhjeve për të është një ditë lufte, gare e fitoreje.

Klosi tha se ndër objektivat më primare nën drejtimin e Partisë Socialiste është sigurimi i fitores së zgjedhjeve të vitit 2025.

“Detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së është një detyrë shumë e rëndësishme. PS e ka dëshmuar në gjithë këto vite se dita e zgjedhjeve për të është një ditë lufte, gare, fitoreje. Dhe dita pa zgjedhje është dita e parë e të menduarit për zgjedhjet e ardhshme. Z. Gjiknuri ka bërë një punë shumë të mirë. Së bashku do ta çojmë në një garë të fortë fitoren e 2025-s, ku Partia Socialiste shkon jo vetëm për të marrë mandatin e saj të katërt, por njëkohësisht me fitoren e këtyre zgjedhjeve të kemi një parti të re, një parti që reformohet, një parti që gjen forcën te struktura e saj, te njerëzit e saj, te mbështetësit e saj, tek ata që presin vetëm te Partia Socialiste e Shqipërisë të ecin përpara. Kjo detyrë do na detyrojë të punojmë shumë, të kemi orë të zgjatura me gjithë strukturën e partisë në çdo zonë, në çdo lagje, për të kuptuar se çfarë njerëzit duan nga Partia Socialiste”, tha Klosi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë