Lajme

Balla: Kemi patur dijeni 4 muaj më parë për audio-përgjimin, Vasili: Rama të hetohet

Debati për audio-përgjimin e publikuar nga PD nga parlamenti është transferuar në studiot televizive.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ftuar në "Tonight Ilva Tare", në Ora Neës, tha se kanë pasur dijeni për audio-përgjimin ndaj vëllait të Fatmir Xhafajt rreth 4 muaj më parë. 

“Audio-përgjimi ka ekzistuar para disa muajsh. Dua t'ju them që një emisioni i është kërkuar edhe nga lideri i opozitës që ta transmetonte këtë kasetë rreth 4 muaj më parë. Ne e dinim që Basha është munduar që në një televizion të bëhej i mundur transmetimi. I është prezantuar edhe përmbajtja dhe sigurisht emisioni në fjalë ka arritur në përfundimin që kjo dukej diçka jo serioze dhe erdhi momenti që u publikua nga PD”- u shpreh Balla, i cili më herët ka deklaruar se opozita kërkon t’i bëjë shantazh ministrit Xhafaj.

Më herët kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili në konferencë për mediat deklaroi se duhet të hapen hetime për Kryeministrin në lidhje me audio-përgjimin e PD.

“Duhet të hapen hetime për Kryeministrin, pasi ka bërë hetime të paligjshme paralele me fonde të paqena, me audio-përgjime që nuk ekzistojnë, por nuk kemi as thirrjen e tij në cilësinë e dëshmitarit. Përfundimisht përballë shqiptarëve kemi dy drejtësi, njëra që mbron Kryeministrin dhe ministrat e tij në mënyrë të hekurt dhe tjetra për qytetarët që futen në burg se ndërtojnë murin e shtëpisë”- tha Vasili. Ashtu si kolegët demokratë, në mbyllje të konferencës edhe Vasili i bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen me protestën e opozitës më 26 maj në orën 11:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë