Politike

PS shpall fitoren që ditën e parë për mandatet e çdo qarku

Gazeta Si – Përfaqësuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste, kanë parashikuar se do të fitojnë 60 mandate për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit gjatë çeljes së fushatës elektorale në sheshin “Skënderbej”.

Belinda Balluku, e cila kryeson qarkun e Fierit, tha: “Ka një objektiv, 10 mandate deputetësh për t’i ulur në sallën e Parlamentit shqiptar. Por siç më tha shoku Gramoz sot në mëngjes, priten 11 mandate nga ne”, u shpreh zv/lryeministrja.

Drejtuesja e qarkut politik të Durrësit, Emirjana Sako, u shpreh: “Hyjmë në këtë garë si fitues me 8 deputetë, do ta përfundojmë garën të paktën me 9 deputetë. Do bëjmë çmos që vota e 11 majit të bashkojë të rinj e të moshuar tek numri 5 i fletës së votimit”, tha Sako.

Drejtuesi politik i qarkut Lezhë, Ulsi Manja, vendosi objektivat për numrin e mandatit të deputetëve para kryeministrit: “Me Edi Ramën dhe PS më 11 Maj, ne do ta sjellim Europën në këtë shesh për të folur shqip. Do të marrim jo më pak se 4 mandate nga 7 që ka qarku i Lezhës”, – komentoi ai.

Arbjan Mazniku, i cili kryeson qarkun e Elbasanit për Partinë Socialiste, tha: “Me PS dhe Edi Ramën për agroturizmin. Qarku i Elbasanit është i vendosur që do të vijë me 9 mandate, me rezultatin më të mirë që PS ka pasur ndonjëherë”.

Përfaqësuesi politik i qarkut Shkodër, Benet Beci, u shpreh: “Së paku me 5 mandate Shkodra do të vijë kësaj radhe në këto zgjedhje. Shkodranët janë mirënjohës për punën që është bërë dhe shumë faleminderit për kryeministrin që ka kthyer kokën nga Shkodra”.

Bledi Çuçi, drejtuesi politik i qarkut Vlorë, parashikoi: ”Vijmë sot në shesh me tetë mandate të konsoliduara dhe ju premtojmë se do të vijmë në datë 12 me 9 të tilla, sepse qytetarët e këtij qarku dinë të besojnë tek ata që punojnë dhe janë të zgjuar të mos hedhur votën dëm në kënetë”.

Drejtuesi politik i qarkut Korçë, Niko Peleshi, tha: “Ne brohorasim dhe i ftojmë të gjithë pa dallim për Shqipërinë europiane, 11 Maji është vula e Shqipërisë europiane me Edi Ramën dhe PS. Ne do sjellim 7 mandate nga Korça për fitoren e PS”.

Mirela Kumbaro, drejtuesja politike e qarkut Gjiroksatër, tha: “Çfarë janë në gjendje të bëjnë shqiptarët, kur ju jep dorën, pikën e floririt ta kthejnë në mal. Do marrim më shumë se në 2021, më shumë se në 2023, kemi blinduar 3 mandate dhe synojmë mandatin e 4 për një mandat historik 4 me 0”.

Eduart, Shalsi, drejtuesi politik i qarkut Kukës, tha: “Kryeministri na përcolli një mesazh dhe ne thamë që ai kryeministër që ka bërë për gratë e këtij vendi, meriton që ju të ktheheni me dy mandate, që edhe Kukësi, si gjithë Shqipëria t’i japë një mesazh të fortë Evropës“, u shpreh Shalsi.

Përfaqësuesit politikë të qarkut Tiranë, Elisa Spiropali, ai i qarkut Berat, Ervin Demo dhe i qarkut të Dibrës, Blendi Klosi, gjatë gjithë fjalimit të tyre nuk u prononcuan se sa mandate do të fitonin konkretisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë