Politike

PS, rezolutë Kuvendit për influencën ruse dhe zgjedhjet parlamentare

Partia Socialiste paraqet në Kuvend një projektrezolutë që kërkon të merren masa ndaj influencës ruse në zgjedhje, duke paraqitur si të domosdoshme ngritjen e mekanizmave kontrolluese për financimin e partive politike në vend. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka depozituar në Parlament draftin “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”.
Në draft e siguruar nga Gazeta Si janë 15 pika si kërkesa të paraqitura për t’u zbatuar nga ana e Parlamentit, duke theksuar se “aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë nga vendet e treta, përpos Rusisë, janë të përfshirë në debatet publike të vendit tonë dhe se shkalla e akteve të ndërhyrjeve dashakeqe kërkon koordinim të të gjitha institucioneve kombëtare në përgjigje të saj”.
Dokumenti i firmosur nga Taulant Balla i bashkohet shqetësimit të Bashkimin Europian për natyrën e jashtëzakonshme të propagandës ruse, e cila është burimi kryesor i dezinformimit në Europë dhe që është dyfishuar nga janar 2019 me 998 raste, në krahasim me 2018-ën me 434 raste.

Drafti i PS-së i paraqitur në Parlament, i firmosur nga kreu i grupit socialist, Taulant Balla Gazeta Si, 29 tetor 2019


Për të parandaluar ndërhyrjet e mundshme i bëhet thirrje institucioneve kompetente që të vlerësojnë ndërhyrjet e mundshme në legjislacion, marrjen e masave ligjore dhe administrative, të cilat sipas PS-së, kanë kompromentuar lirinë e shprehjes, mund të konsistojnë në ndërhyrje nga platformat e medieve sociale me qëllim të etiketimit të përmbajtjes, rishikimin e algoritmeve në mënyrë që t’i bëjnë ato sa më të paanshëm që të jetë e mundur, dhe mbylljen e llogarive që merren me veprimtari të paligjshme dhe që synojnë prishjen e proceseve demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes. Përpos këtij propozimi që kërkon mbylljen e lajmeve apo faqeve në rrjetet sociale, në këtë rezolutë kërkohet që t’i kushtohet vëmendje çështjes së financimit të partive politike.
“I kërkon Komisionit të reformës zgjedhore të adresojë transparencën dhe auditimin e financimit të partive politike dhe organizatave politike, përfshi financimet e huaja, si dhe të marrin ose nxisin ndërmarrjen e nismave për ndryshimet ligjore në këtë drejtim”, thuhet në këtë draft rezolutë.
Për këtë institucionet kompetente duhet hartojnë masat përkatëse, për transparencën dhe duke kërkuar futur edhe financimet e huaja. Pikë e fundit e draftit është edhe krijimi i një Task-Force ose fuqizimin e institucioneve aktuale me ekspertizë të posaçme për të forcuar parandalimin e fenomenit të dezinformimit, si dhe për të ndaluar çdo ndërhyrje të huaj ose financim të paligjshëm në proceset elektorale dhe demokratike në vendin tonë.

Ndërkaq duket si një shprehje e paqëllimtë, por me anë të kësaj rezolute theksohet me një paragraf të veçantë se “pritet që zgjedhjet e përgjithshme të zhvillohen në vitin 2021”. Kjo si një sinjal për opozitën që kërkon zgjedhje të parakohshme. Qeveria ka hartuar disa rregullime ligjore për rritjen e kontrollit të medias online. Këto ndryshime janë bllokuar për momentin nga ana e OSBE-së, e cila ka kërkuar rishikim të dy drafteve që shihen si pjesë e paketës Antishpifje, pasi kërkon që ajo të jetë në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së është kërkuar miratimi i kësaj rezolute, duke lidhur dhe me faktin e miratimit të ndryshimeve ligjore për paketën Antishpifje.

Ndërkaq ndikimi rus në Shqipëri është ngritur si shqetësim, e kjo edhe në vendet e Ballkanit. Por projektrezoluta është edhe kundër PD-së, pasi prej kohësh po ka akuza se fonde ruse u përdorën nëpërmjet kompanive offshore për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkrimet Mother Jones për investigimin e lobimit të PD-së

Për këtë ka nisur një hetim në SHBA dhe në Shqipëri. Hetimet nisën pas publimeve që bëri revista e njohur amerikane, “Mother Jones”. Ishtë pikërisht kjo revistë, që një vit më parë publikoi për herë të parë investigimin për pagesën prej 650 mijë dollarësh, të bëra nga Partia Demokratike kundrejt lobistit Amerikan, Nick Muzin.

Skema e lobimit të botuar nga revista "Mother Jones"

Në artikull, revista përqendrohet mbi faktin se kreu i PD, Basha tashmë është nën hetim edhe për shkelje të ligjit në Shqipëri, në lidhje me financimet e partive politike, ndërkohë që dy hetime paralele janë ende aktive në SHBA dhe Skoci, në lidhje me dyshimin se paratë e paguara për lobim vijnë nga një kompani-guaskë me pronarë Rusë, “Biniatta Trade.” Prokuroria në mars mori në pyetje kryedemokratin lidhur me pagesat mbi 600.000 dollarë që partia raportohet se ka bërë në 2017 për një lobist republikan në Uashington, DC. Ky veprim vjen mbi një vit pasi Mother Jones raportoi se nje kompani “offshore” me seli në Skoci e lidhur me disa shtetas misteriozë rusë e ka financuar këtë lobim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë