Lajme

PS pritet të votojë mbylljen e basteve dhe ‘Teatrin’, opozita bojkoton

Prej orës 10:00 Kuvendi i Shqipërisë vijon seancën plenare të radhës. Ditën e sotme pritet të miratohet ligji për “Lojërat e Fatit”, i cili i hap rrugë mbylljes së aktiviteteve të kazinove dhe basteve pas 31 dhjetorit. Pavarësisht se në rend të ditës do të jetë edhe votimi i këtij ligji, opozita sërish nuk do të marrë pjesë në Parlament, duke bojkotuar për të disatën herë seancat plenare.  Drafti i propozuar nga qeveria, i ndryshuar nga Komisioni i Ekonomisë, parashikon mbylljen e të gjitha pikave të basteve, kazinove, bingove, garave në pistë dhe çdolloj basti të organizuar. Drafti ndalon edhe bixhozin online në distancë, ndërsa parashikon kalimin e lojërave të fatit monopol shtetëror.

Kujtojmë se më 23 tetor Komisioni i Ekonomisë miratoi ndryshimet për “Lojërat e Fatit”, ndërsa kreu i këtij komisioni, Erion Braçe, tha se ky ligj mund të hyjë menjëherë në fuqi, pasi për këtë nuk ka pasur asnjë rezervë nga Presidenti Ilir Meta. 

Maxhoranca gjithashtu do të shqyrtojë sot në Kuvend edhe dekretin e Presidentit Ilir Meta që ktheu sërish për rishqyrtim ligjin që i hap rrugë ndërtimit të Teatrit të Ri Kombëtar. Pritet që dekreti të rrëzohet dhe për rrjedhojë ligji hyn në fuqi menjëherë, pasi e drejta e Presidentit për ta kthyer ligjin është vetëm njëherë.

Më 11 tetor, kreu i shtetit, Ilir Meta, ka refuzuar sërish miratimin e ligjit të maxhorancës, që i hap rrugën shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Në dekretin e ri të Presidentit evidentohen në total 9 shkelje ligjore, të cilat sipas Metës nuk janë reflektuar në draftin e miratuar nga Parlamenti.

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese në një mbledhje që zgjati rreth 10 minuta ka shqyrtuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për kthimin e ligjit për Teatrin Kombëtar. Pas fjalës së Beqajt dhe Shalsit, dekreti i Presidentit u rrëzua.

Në seancën e sotme plenare, pas nismës për heqjen e kazinove dhe basteve, qeveria ka prezantuar një nismë për kufizimin e tregtimit të pijeve energjike dhe pijeve të gazuara me sheqer të shtuar për personat nën 18 vjeç.

Erion Braçe u shpreh nga foltorja e Kuvendit se do të kufizohet edhe reklamimi agresiv për këto produkte.

Sipas mazhorancës, kjo nismë për ndalimin e pijeve energjike nën 18 vjeç ka si qëllim parandalimin e  problemeve shëndetësore. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë