Politike

PS-PD bashkë për “zgjedhoren”, opozita i thotë “po” OSBE-së për tryezën

Partia Demokratike e Partia Socialiste do të ulen sërish së bashku në një tryezë për reformën zgjedhore. Sipas burimeve pranë PD-së, demokratet mësohet se kane pranuar të ulen në tryezën së bashku me dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore Damian Gjiknurin e Rudina Hajdarin.
Tryeza do të trajtojë çështjet e financimit të partive politike e fushatës zgjedhore dhe është e dyta që OSBE e komisioni i posaçëm për reformën elektorale organizojnë për ndryshimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet.
Ashtu si ne tryezën e parë, sërish Partia Demokratike do të përfaqësohet në nivel teknik në këtë takim, që parashikohet të martën, duke treguar vullnetin e saj për realizimin e reformës zgjedhore. Krejt ndryshe nga masat e propozuar nga komisioni parlamentar për transparencën e financimit te partive politike, opozita kërkon që shpenzimet e partive në fushatë të mbulohen në masën 100% nga shteti, duke nxjerrë jashtë loje financimet private. Por në këtë situate nuk janë zgjidhjet teknike ato që ndajnë palët.
Partia Demokratike ka deklaruar se nuk e njeh Komisionin e Posaçëm Parlamentar duke kërkuar që reforma te realizohet nga PS e PD me praninë e ndërkombëtarëve. Ky kusht ka bërë që të dy kampet te punojnë paralelisht për reformën elektorale, secila me ekspertët e saj. Disa ditë më parë ambasadorët e SHBA, Gjermanisë dhe të BE-së zhvilluan një takim në zyrën e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Në këtë takim që zgjati 90 minuta nuk pati asnjë reagim apo deklaratë, por se pjesë e saj ka qenë edhe reforma zgjedhore.
Por edhe pse palët janë kompromisi, mazhoranca e dha shenjën e parë të tërheqjes ditën e premte. Shumica hoqi dorë nga angazhimi për të miratuar këtë reformë zgjedhore brenda këtij viti, duke e shtyrë afatin e komisionit. Tashme të dy palët kanë kohë deri në fund të muajit shkurt për të realizuar një reforme zgjedhore konsensuale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë