Politike

PS nuk ndalet, i rrëzon Metës edhe kandidatin e tretë të KLSH

Mazhoranca nuk ndalet dhe i rrëzon Presidentit Ilir Meta kandidaturën e tretë të propozuar për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Komisioni parlamentar i Ekonomisë, shqyrtoi sot kandidaturën e Petraq Milos, të paraqitur nga presidenti.
Milo ishte sot në mbledhjen duke bërë një ekspoze të punës së tij dhe se pse e pranoi këtë sfidë për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit. Por socialistët e kanë refuzuar emrin e tij. Në votimin final rezoltoi se 9 deputetë të majtë votuan kundër emrit të tij, ndërsa katër deputetë të opozitës së re votuan pro.
Milo me profesionin ekonomist ka qenë për disa vite këshilltar i kryeministrit Sali Berisha dhe zv.ministër gjatë qeverisjes së djathtë dhe kjo duket ka ndikuar te mazhoranca për ta cilësuar si kandidaturë me profil politik.
Deputetja e PS, Evis Kushi tha se në CV e Milos mungojnë dhënat për detyrën që ka mbajtur në vitet 1988-1991. Gjithashtu rezulton se ka qenë edhe kandidat për anëtar të Këshillit Kombëtar të PD-së, kur njëherësh ishte anëtar i Këshillit Mbikqyrës së BSH, gjë që nuk e lejon ligji. Në këto rrethana, shtoi Kushi, është në konflikt interesi për këtë detyrë.
Por Milo tha se në CV, ai ka pasqyruar informacionet lidhur me punët që ka mbajtur gjatë 10 viteve të fundit, e ndërsa theksoi se nuk ka mbajtur asnjëherë qëndrim politik.
"Në punën time kam qenë model për të qenë bashkëpunues, për të mbështetur çdo qeveri. Nuk ka pasur asnjë qëndrim politik në punën time”, deklaroi Milo. Ky emër ishte propozuar nga Presidenti Ilir Meta pak muaj më parë si emri që duhet të zëvëndësonte Bujar Leskajn në krye të KLSH.
Kjo është kandidatura e tretë që mazhoranca i rrëzon presidentit Meta për kreun e KLSH-së. Një ditë më parë e majta i rrëzoi katër dekretet presidentit për kthim ligjesh për rishqyrtim nga Parlamenti.
Fillimisht e majta rrëzoi emrin e Vitore Tushës, anëtare Gjykatës Kushtetuese në detyrë, me argumentimin se nuk i plotësonte kriteret ligjore. Emri i dytë që PS-ja i rrëzoi Metës, përpara se të niste procedurat e shkarkimit si president, ishte ai i Bahri Shaqirit, ish-kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror. Shaqiri aktualisht këshilltar i Metës për Çështjet e Sigurisë, u cilësua nga mazhoranca si kandidaturë jo në përputhje me kriteret ligjore, pasi nuk kishte eksperiencë në fushën e ekonomisë.
Prej më shumë se një viti, vendi i kreut të KLSH-së ka mbetur peng i përplasjeve politike mes Presidentit dhe mazhorancës së majtë. Për këtë konflikt në detyrë qëndron ende Bujar Leskaj, edhe pse i ka mbaruar mandati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë