Politike

PS mbledh Këshillin e ri në Shkodër, PD: Mos luani me zjarrin!

Partia Demokratike ka thirrur një protestë paraditen e së hënës në Shkodër për të kundërshtuar konstituimin e këshillit të ri bashkiak të dalë nga zgjedhjet e 31 qershorit.

“Partia Demokratike, dega Shkodër ditën e nesërme në orën 10:00, para Prefekturës do të organizojë një protestë paqësore për mbrojtjen e vlerave të demokracisë e të dinjitetit tonë si qytetarë të Shkodrës. Ne nuk duhet asesi të pranojmë konstituimin e një këshilli ilegjitim e aq më pak në rektoratin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Rilindasit zgjodhën ish komitetin e partisë për të konstituuar këshillin ilegjitim vetëm për të provokuar qytetarët e Shkodrës. Ne nuk mund të pranojmë të jemi dëshmitarë të vendosjes së një tjetër regjimi. I bëjmë thirrje Edi Ramës të mos luajë me zjarrin, të mos luajë me Shkodrën! Shkodra do të dijë sërish t’i dalë për zot vetes”, thuhet në deklaratën e PD, Dega Shkodër.

Mbledhja është thirrur nga Prefekti i Qarkut Çesk Millja. Shkresa e firmosur prej tij ka tre pika në rendin e ditës, konstituimi i këshillit dhe zgjedhjeve e organeve drejtuese dhe përfaqësuese; zgjedhje e përfaqësuesve të anëtarëve të rinj në këshillin e qarkut. Pika e tretë është shpallja e vlefshmërisë së kryetarit të bashkisë së Shkodrës. Me këtë akt pritet të bëhet publike edhe fakti i dorëheqjes nga post i Valdrin Pjetrit.

Mbledhja është thirru në ambientet e universitetit “Luigj Gurakuqi” për në orën 11:00. Përveç njohjes së dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, pas konstituimit, këshilli mund të përdoret nga socialistët edhe për të “legjitimuar” përfundimin e mandatit të Voltana Ademit dhe vendosjen në detyrë të një nënkryetari bashkiak deri në zgjedhjet e reja për kryetar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë