Politike

Rama: PS merr mbi 78 mandate! Do ulim Shqipërinë në BE 

Nga Gazeta ‘Si’- “78 mandate janë 100% të sigurta.”

Kështu e nisi Edi Rama fjalimin përmbyllës të fushatës elektorale, duke renditur arsyet dhe qarqet ku mazhoranca synon mandate plus dhe duke ironizuar drejtuesit e opozitës.

Rama e cilësoi takimin e sotëm jo thjesht një takim përmbyllës të një tjetër beteje zgjedhore, por kulmin e një tjetër rrugëtimi katërvjeçar ngjitjeje lart drejt majës ku sipas tij ndodhet Shqipëria e Europës së bashkuar.

Ai tha se askush nuk do ta mundë PS-në për sa kohë “ajo të mbartë shpirtin evropian të Shqipërisë.”

Rama përmendi të gjitha qarqet, por jo Tiranën, për të cilën foli në vijim të fjalës së tij. Duke iu referuar arrestimit të Erion Veliajt (pa e përmendur direkt) Rama tha se nuk e harroi Tiranën, “e lënduar nga ngjarja e fundit.”

“Po Tiranën, e lënduar nga ngjarja e fundit. E harrova vallë që nuk e rendita ne listën e qarqeve? Pse vallë e harrova? Në Tiranë do të marrim 1 apo 2 plus duke shkuar nga 18 në 20. Nuk e harrova por e lashë vec sepse Tirana ha bukë vec. Është jo vetëm Tirana kryeqytet por dhe shpëtimtarët e transformuesit i kemi dhënë këtij qyteti sharmin e pamohueshëm të Evropës”, tha ai.

Ai kujtoi dhe humbjen e bashkisë së Tiranës, të cilën e cilësoi dhe poshtërimin e fundit përpara suksesit.

“Unë nuk besoj te rastësitë. Nuk ka rastësi që ne jemi këtu në ditën e evropës për të thënë fjalën e fundit të rrugëtimit dhe më pas për të shkuar me shumicën e shqiptarëve në kutitë e votimit dhe për të firmosur marrëveshjen për Shqipërinë evropiane. Kur ju më zgjodhët për t’iu udhëhequr 2 dekada më parë ajo majë ishte e paarritshme dhe ne ishim shembur. Rruga jonë nisi me disfatë, na kërkoi kohë e karakter dhe përballë fyerjeve më të rënda. Tirana u bë kështjella jonë duke e transformuar qytetin duke e përballur me injorancën. Çfarë nuk bën për të marrë Tiranën me kuç me maç e me minj. Ai rrëzim ishte sprova e fundit përpara ngjitjes së pandalshme të PS”, tha Rama.

Në fund, Rama ironizoi kreun e PD, Sali Berishën dhe Chris LaCivitën. Madje, ai bëri dhe një parashikim me ironi të asaj që do të ndodhë më 11 maj dhe ditët pas.

Sipas Ramës, të dielën në mbrëmje Berisha do të shpallë fitoren, teksa të hënën do të lëshojë akuzat për vjedhje të votës, dhe të martën do të ftojë njerëzit në revolucion.

“Ky rrugëtim nëpër Shqipëri ka qenë i bukur, ka qenë i qetë pozitiv s’ka pasur ndotje të mëdha akustike apo pamore përveç grumbujve me leshterikë të kënetës nëpër sheshe apo grushtave dhe shkelmave madhëhstorë të tyre mes veti. Mua ato grumbujt e kënetës më hoqën mallin e Bashës, kur në 2017 përhapte dritën e republikës së re.

Këtë herë në vend të shokut tim me pantallona verore ngjyrë verdhë, si këngëtar në përvjetorët e maturës ishte bufi me kapelen e Trump, i kërrusur dhe i rrudhur si ai shtrigani i koncertit ’36 me Latifin që të përhapte tymin madhështor të magjisë që do na shkatërronte të gjithëve ne dhe me syrin e qimit të qunit për lajmin madhështor që do ta bënte oqeanin atlantik kos”, tha Rama. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë