Politike

PS e fton në komision e reformës, PD e refuzon

Mazhoranca nuk heq dorë për të ftuar opozitën joparlamentare në reformën zgjedhore, edhe pse PD-ja së bashku me aleatët e saj kërkojnë zbatimin e platformës së paraqitur me 5 pika.

Bashkëkryetari socialist i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri mësohet se i ka dërguar një ftesë përfaqësuesit të PD-së për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kasos, duke i bërë të ditur se të enjten, më 10 tetor, do të diskutohet mbi tryezën e OSBE-së, konkluzionet  e tryezës së realizuar dy javë më parë. “Do të diskutojmë mbi ecurinë e tryezës së 25 shtatorit ku ju morët pjesë”, thuhet ndër të tjera.

Por seketrari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, ka deklaruar se plani i opozitës është në tryezë, dhe se qeveria duhet të shprehet. “I qëndrojmë deklarimit që kemi bërë në tryezën OSBE. Plani ynë është në tryezë, qeveria të shprehet për 5 pikat”, ka thënë Bardhi, duke nënkuptuar kështu refuzimin e ftesës së drejtuar nga Gjiknuri.

Në tryezën e OSBE për Reformën Zgjedhore, më 25 shtator, PD mori pjesë e përfaqësuar nga Ivi Kaso, Arjan Madhi i PR-së dhe Muharrem Caka i LSI. Duke folur në emër të opozitës së bashkuar, Kaso kërkoi që të krijohet një strukturë e posaçme e drejtuar nga ndërkombëtarët dhe me përfaqësues nga opozita dhe mazhoranca. Opozita pas këtij qëndrimi u largua nga salla e tryezës së organizuar nga komisioni dhe OSBE-ja, ndërsa kjo shkaktoi edhe zemërimin e opozitës parlamentare, e cila bëri të njëjtin veprim, por që më pas u pendua dhe iu rikthye sallës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë