Seanca maratonë e së enjtes u mbyll me dakordësinë mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, të cilat bashkuan votat dhe miratuan 6 ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, me 100 vota pro dhe me vetëm 1 votë kundër nga Redi Muçi.
Socialistët e tërhoqën propozimin që çdo projektligj i kërkuar nga Bashkimi Evropian të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar. Në dakordësinë e arritur parashikohet se ligjet e integrimit të kalojnë në Kuvend me procedurë normale, përveç rasteve kur kërkohet nga qeveria me kërkesë të arsyetuar.
Socialistët kishin propozuar shmangien e plotë të raportimeve në seancë plenare të institucioneve pavarura. Palët kanë rënë dakord që këto institucione të përmenduara në kushtetutë do të vijojnë të raportojnë ne komisione parlamentare të cilat hartojnë një projektrezolutë, e cila më pas i kalon Komisionit “Xhafaj”.
PS u tërhoq nga përgjysmimi i kohës së diskutimit në seancë plenare në pesë minuta dhe koha e diskutimeve do të vijojë 10 minuta. Ndryshimet parashikojnë kontrollin parlamentar përmes ndërhyrjes së Kryetarit të Kuvendit në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion.
Një tjetër ndryshim lidhet me kohëzgjatjen e seancave plenare. Me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse. Po ashtu u pranua dhe kërkesa tjetër e opozitës që masat disiplinore të pezullohen automatikisht, nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje