Pak orë pasi ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u paraqit në Prokurori dhe dorëzoi në organin e akuzës prova decizive për hetimin ndaj tij, vjen edhe reagimi nga radhët e Partisë Demokratike.
Në një dalje për mediat nga selia blu, Edi Paloka, nënkryetari i PD-së, akuzon kryeministrin Edi Rama se po bën presion mbi prokurorinë dhe se po manipulohet opinioni publik për të mbyllur çështjen.
“Kjo është alibia që Edi Rama i dha Saimir Tahirit dhe pas së cilës fshihet presioni që po i bëhet prokurorisë për të mbyllur çështjen.
Dorëzimi i gjoja provave të reja nga Saimir Tahiri është pjesë e skenarit të Edi Ramës për të përgatitur opinionin publik për mbylljen e çështjes së Saimir Tahirit.
Këtë që ka bërë sot Saimir Tahiri, e ka paralajmëruar Edi Rama më 16 tetor, kur njoftoi se cili do të jetë fati i dosjes ‘Tahiri’”, u shpreh Paloka.
Gjithashtu, Paloka u shpreh se është fakt tashmë që Tahiri ka ndihmuar Habilajt dhe është i përfshirë në trafikun e drogës.
“Është fakt që grupi kriminal Habilaj për 4 vjet nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme nga Saimir Tahiri organizoi trafikun ndërkombëtar të drogës me makinën private të ministrit të Brendshëm. Është fakt se pavarësisht denoncimeve të përditshme të Partisë Demokratike për 3 vjet me radhë për trafikun e drogës nga grupi i Habilajve me audin AA 003 GB, Edi Rama dhe Saimir Tahiri mohuan të vërtetën, sulmuan denoncuesit dhe morën në mbrojtje trafikantët e drogës”, tha ndër të tjera Paloka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.