Futboll

Prova false në Prokurori, Barcelona kërkon ‘kokën’ e presidentit të Ligës

Gazeta Si – Po rritet gjithmonë e më tepër niveli i përplasjes mes Barcelonës dhe Havier Tebas, presidentit të Ligës. Situata është ashpërsuar pas akuzave të së përditshmes ‘La Vanguardia’, sipas së cilës Tebas i ka ofruar prova false Prokurorisë, që po heton për çështjen ‘Negreira’, ish-president i arbitrave, që ka marrë 7 milionë euro nga klubi katalanss për ‘konsulencë’.

Barcelona, me një komunikatë zyrtare, ka kërkuar dorëheqjen e Tebas. Numri 1 i Ligës dyshohet se ka çuar në Prokurori një dokument të shkruar me dorë nga Josep Kontreras, ish-drejtues i Barcelonës, që humbi jetën më 25 dhjetor 2022. Por, familja e tij ka treguar se dokumenti i depozituar nga Tebas në Prokurori nuk kishte emrat e ish-presidentëve të klubit katalanas.

Logo e klubit katalanas. Gazeta Si, 4 prill 2023

Dokumenti në fjalë i referohej një çështjeje tjetër, asaj të Soule, që ka të bëjë me shpërdorim fondesh të destinuara për Federatën Spanjolle të Futbollit, që drejtohej nga Angel Maria Vilar nga 1988-a në 2018-ën.

"Duke parë rëndësinë e informacioneve që kemi parë në ‘La Vanguardia’, ku presidenti i Ligës Havier Tebas lidhet me paraqitjen e provave false për të inkriminuar klubin tonë, Barcelona shpreh indinjatë dhe zemërim të thellë.

Për këtë kërkojmë urgjentisht që presidenti i Ligas të dalë publikisht dhe të japë shpjegime. Barcelona është viktimë e një fushate mediatike për fakte që nuk kanë ndodhur kurrë. Barcelona nuk ka paguar kurrë arbitrat. Kjo fushatë përfshin një grup mediash dhe opinionistësh tendenciozë, ndërsa Liga ndez më shumë ‘flakët’ kundër klubit tonë.

Presidenti i saj ka ecur në vetëm një drejtim. Nuk është hera e parë që ai përdor armët mediatike për të dëmtuar Barcelonën. Mister Tebas duhet të japë dorëheqjen”, - shkruhet në komunikatën e klubit katalanas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë