Politike

PD: Bojkotojmë seancën, mazhoranca po pengon debatin parlamentar

Nga Gazeta ‘Si’- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar me një deklaratë ku akuzon mazhorancën për pengim të ushtrimit të funksioneve kushtetuese të opozitës dhe për shmangie të llogaridhënies në Kuvend.

Sipas PD, të martën mazhoranca ka refuzuar kërkesën për debat parlamentar dhe llogaridhënie nga Kryeministri, lidhur me protestat e qytetarëve dhe me rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian.

Opozita thotë gjithashtu se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është miratuar kalendari i punimeve të Kuvendit pa përcaktuar datën e shqyrtimit të katër projektligjeve të depozituara prej saj, që lidhen me shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për investimet strategjike, Paketën e Maleve dhe disa dispozita të ligjit për trashëgiminë kulturore.

Sipas PD, këto nisma përputhen me kërkesat e qytetarëve protestues dhe me shqetësimet e ngritura në rezolutën e Parlamentit Europian, ndaj duhej të ishin përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme.

Për këtë arsye, Grupi Parlamentar i PD njofton se nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme(2 korrik) duke kërkuar përfshirjen dhe shqyrtimin e katër projektligjeve brenda këtij sesioni parlamentar.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se rrethimi i Kuvendit me forca policie për të menaxhuar protestën e qytetarëve e dëmton, sipas tyre, funksionin përfaqësues të Parlamentit.

PD thekson se, në kushtet e mungesës së llogaridhënies dhe refuzimit të nismave të opozitës, pjesëmarrja në seancë nuk do t’i shërbente interesit të qytetarëve, por do të legjitimonte një proces që ata e konsiderojnë në kundërshtim me parimet e demokracisë parlamentare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë