Bota

Protestuesit djegin Athinën, sulmohen egërsisht efektivët e policisë (Video)

Kryeqyteti grek, Athina,  është përfshirë nga skena të dhunshme dhe të përgjakura 24 orët e fundit, ku janë shënuar përleshje mes huliganëve dhe policisë.

Një turmë e madhe vandalësh, kishin dalë në rrugë për të protestuar për shkak të një përplasjeje që kishte ndodhur në fundjavë, ku një i ri ishte dhunuar nga policia.

Në shenjë hakmarrjeje, qindra të rinj të maskuar me kapuç të zinj në fytyrë, kanë dhunuar barbarisht një efektiv policie, duke e lënë të plagosur rëndë.

Në pamjet e publikuara nga mediat greke, shihen disa patrulla policie me motor, duke kaluar në lagjen “Nea Smyrni”, Athinë, për të shpërndarë turmën e protestuesve.

Sipas “Kathimerini”, duket se protesta ka qenë një pritë e ngritur ndaj policisë.

Huliganët ishin të maskuar dhe të pajisur me shishe molotovë si dhe sende të forta. Njëri prej tyre, tërheq nga pas shpine një prej punonjësve të policisë që ndodhej mbi motor, duke e shtrirë përtokë dhe nisi ta godiste dhunshëm.

Brenda pak sekondash, aty u mblodh një turmë e madhe huliganësh dhe filluan ta godisnin pa reshtur për rreth 2 minuta policin që qëndronte i shtirë.

U desh ndërhyrja e policëve të tjerë, të cilët shtynë turmën dhe mundën të shpëtonin kolegun e tyre.

Polici raportohet se ka pësuar dëmtime serioze, si pasojë e goditjeve nga turma e zemëruar, por për fat të mirë është jashtë rrezikut.  Mediat raportojnë se të lënduar mbetën edhe tre efektivë të tjerë.

Policia bën me dije se të paktën 10 persona janë arrestuar dhe shoqëruar në komisariat. Pas kontrolleve në zonë, u gjetën dhe sekuestruan shishe molotovë dhe pajisje ndezëse.

Në një reagim ditën e sotme, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, dënoi sulmin, duke e cilësuar dhunën si të papranueshme dhe premtoi se autorët do të vihen para përgjegjësisë.

https://www.youtube.com/watch?v=ZXUQpZh3kI4

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë