Bota

Protesta të tjera për Gazën në SHBA, plumba gome kundër studentëve në Universitetin e Arizonës

Gazeta Si - Vazhdojnë protestat në universitetet amerikane për luftën në Gaza. Policia qëlloi me plumba gome dhe piper ndaj protestuesve në Universitetin e Arizonës gjatë demonstratave të grupeve pro-palestineze dhe pro-izraelite.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit, thonë se kanë "përdorur minimalisht" municion si piper dhe gomë dhe kanë veshur pajisje taktike të sigurisë për të shpërndarë turmën.

“Ata nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të ndërmarrin veprime kuptimplota përballë veprimeve të rrezikshme të qindra protestuesve”, - tha presidenti i universitetit, Robert Robbins.

Dhjetëra arrestime janë regjistruar në protesta të tjera, nga Teksasi në New Hampshire dhe Kaliforni, ku u raportuan edhe disa të plagosur.

Të paktën 15 persona u plagosën në kampusin e UCLA (Universiteti i Kalifornisë) në Los Anxhelos pas përleshjeve gjatë një proteste që "u shndërrua në dhunë" midis pro-palestinezëve dhe pro-izraelitëve.

Policia me mjete ushtarake urdhëroi shpërndarjen e më shumë se një mijë studentëve që ishin mbledhur në mbështetje të kauzës së Gazës, duke paralajmëruar me altoparlantë se kushdo që refuzonte të largohej, do të arrestohej.

Një turmë e madhe studentësh dhe persona të tjerë u mblodhën në shkallët e kampusit jashtë zonës me tendë dhe u ulën duke dëgjuar folës të ndryshëm dhe u bashkuan në thirrjet e mbështetjes për kauzën palestineze.

Disa shpërndanë gjithashtu syze dhe helmeta, si dhe ngritën stacione të ndihmës mjekësore. Një grup i vogël studentësh që mbanin shenja dhe bluza që mbështesin Izraelin dhe popullin hebre, u mblodhën aty pranë, duke çuar në përleshje.

Shumë njerëz u arrestuan gjatë një proteste tjetër pro-palestineze, në Kolegjin Dartmouth në Hanover, New Hampshire.

Një video e transmetuar nga rrjeti lokal Wmur-TV, tregoi policinë duke i larguar demonstruesit dhe duke i mbajtur ata mbrapa me duart e tyre të lidhura me lidhëse plastike, ndërsa ata thërrisnin "Lironi Palestinën".

Të paktën 19 persona u arrestuan në Universitetin e Teksasit në Dallas, pasi forcat e zbatimit të ligjit pastruan një kamp të protestuesve pro-palestinezë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë