Lajme

Protesta te “Astiri”, Basha: Shqiptarët po vidhen. Policët, jo kundër ligjit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar sërish kryeministrin Rama se po keqpërdor Policinë e Shtetit.

Në mbështetje të protestës së banorëve të “Astirit”, të cilët kanë bllokuar sërish rrugën, kundër vendimit të qeverisë për prishjen e banesave të tyre, kryedemokraati ka qenë i shoqëruar nga deputetë të PD-së dhe LSI-së.

Në fjalën e mbajtur, Basha tha se projekti për Unazën e Madhe të Tiranës është një aferë, ku sipas tij, një centimetër kushton 2 mijë euro. Basha i bëri thirrje policisë së Shtetit që të mos bëhet vegël e qeverisë.

“Kjo vepër publike është prokuruar, jemi para një afere. Jemi në mbështetje të tyre dhe të shtëpive të tyre. Edi Rama duhet t’i vejë gishtin kokës. Afera është e qartë, 40 milionë euro, 2 mijë euro për cm. Mijëra vogëlushë dalin nga shtëpitë. Po vidhen shqiptarët nga PPP. Vjedh 40 milionë euro për të mbushur thasët, - u shpreh Basha. - Ky është projekt i agait të Surrelit. Jemi në krah të banorëve. Rama po keqpërdor policinë. Të mos bëhet vegël policia. Policët të mos dalin kundër ligjit”, deklaroi Basha.

Nën thirrjet “Poshtë qeveria” dhe “Duam shtëpitë tona”, banorët theksojnë se protesta e tyre do të vazhdojë deri në arritjen e një zgjidhje për dëmshpërblimin 100% të banesave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë