Bota

Protesta të ashpra në Shkup kundër dënimit e 3 shqiptarëve për rastin “Monstra”

Duke kërkuar drejtësi dhe liri dhjetëra shqiptarë kanë protestuar të premten në Shkup kundër vendimit të Gjykatës Penale për rastin Monstra.

Kryetari i Këshillit Organizativ të protestave Bedri Hajdari, ka thënë se kërkesat për zbardhjen e plotë të përgjimeve nuk do të ndalen pasi ekzistojnë dyshime se ato për rastin Monstra, që ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës, në afërsi të Shkupit, janë të montuara.

Ai ka kërkuar nga autoritetet qeveritare “ndërprerjen e pazareve politike në kurriz të shqiptarëve të pafajshëm, të publikohen të gjitha bisedat e përgjuara në lidhje me këtë rast dhe të përfshihet faktori ndërkombëtar gjatë procesit gjyqësor”. “Kërkojmë të shkarkohet prokurorja dhe gjykatësit e rastit ‘Monstra’, sepse ata nuk u morën me faktet dhe provat që duhej të vinin nga bisedat e përgjuara të lidhura me këtë rast”. “Kërkojmë që kuvendi dhe qeveria t’i publikojnë bisedat e përgjuara me qëllim, që gjykimin e së vërtetës për këtë rast ta bëjë vetë opinioni publik, qoftë ai shqiptar, maqedonas apo cilido qoftë tjetër”.

Protestuesit janë penguar nga kordoni i forcave policore të shkojnë para qeverisë, për të paraqitur kërkesat e tyre ndaj autoriteteve zyrtare, dhe për pasojë një pjesë e protestuesve ka hedhur gjësende të forta drejt pjestarëve të forcave të sigurisë.

“Kjo nuk është protestë ilegale. Këtu nuk ka njerëz kriminel, njerëz provokues, por njerëz që duan drejtësi”, ka deklaruar Hajdari para protestuesve.

Ai ka kërkuar edhe thirrjen e ekspertëve ndërkombëtarë që të bëjnë hetime në mënyrë të pavarur “të tipit të EULEX-it në Kosovë, që të merren me të gjitha rastet e montuara politike nga të cilat shqiptarët vuajnë burgje të rënda edhe pse janë të pafajshëm”.

Ai beson se pas mospublikimit të bisedave të përgjuara, që lidhen me rastin Monstra, fshihen pazare politike mes strukturave të caktuara në Maqedoninë e Veriut.

“Tani doli se bisedat nuk janë të kompletuara dhe se nuk janë dorëzuar apo nuk janë publikuar në tërësi nga ana e prokurorisë”, ka thënë mes tjerash Hajdari.

Pavarësisht se ka bërë thirrje që protestuesit të shpërndahen, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi ata kanë vazhduar të qëndrojnë në afërsi të udhëkryeqit pranë kompleksit të gjykatave ku është vendosur kordoni i policisë.

Të martën Gjykata Penale e Shkupit, ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq, të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve më 12 prill 2012 pranë Liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi.

Viktima ishin katër të rinj të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe një tjetër i moshës 44-vjeçare.

Shkup, 26 shkurt 2021.
Shkup, 26 shkurt 2021.

Ndaj vendimit të gjykatës penale për rastin Mostra kanë reaguar partitë politike shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me ç’rast kanë kërkuar përfshirjen e faktorit ndërkombëtar .

Zijadi Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, i ka bërë thirrje kryeministrir maqedonas Zoran Zaev që mos harrojë deklarimin e tij nga pozicioni i liderit të opozitës gjatë publikimit të bisedave të përgjuara.

“Ai sot është njeriu që ka harruar, po e citoj, 'njerëz të pafajshëm janë në burg për Monstrën'. E vërteta për Monstrën, ishte po ai (Zaevi) që thoshte, që është e tmerrshme. Ishte po ai i cili kishte me dhjetëra dhe qindra-mijëra përgjime dhe me bindje fliste se ka fakte që njerëz të pafajshëm janë në burg” ka deklaruar Sela, i cili u ka dhënë përkrahje protestuesve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë