Lajme

Protesta studentore, Meta thirrje institucioneve: Jini të ndjeshëm!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar pas protestës së studentëve që janë ngritur kundër tarifës për provimet e mbartura.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Kreu i Shtetit po ndjek me vëmendje protestat e studentëve të universiteteve në disa qytete të vendit. Lidhur me këtë protestë, presidenti Meta ka kërkuar nga institucionet të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë studentët.
“Presidenti i Republikës, Meta, po ndjek me vëmendje protestat e studentëve të universiteteve në disa qytete të vendit. Duke vlerësuar situatën e krijuar, presidenti Meta u bën thirrje autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë studentët, në përputhje me kuadrin ligjor dhe të frymës së dialogut për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë në interesin më të mirë publik.
Duhen bërë me shumë përpjekje për një arsim dhe edukim sa më cilësor, që garanton shanse të barabarta për të gjithë, pavarësisht mundësive të tyre financiare. Rinia është aseti ynë më i çmuar kombëtar, ndaj dhe kujdesi ndaj shqetësimeve dhe aspiratave të tyre duhet të jetë prioritet i të gjithëve, sidomos i institucioneve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë