Policia ruse po arreston mbështetësit e udhëheqësit të burgosur të opozitës, Alexei Navalny, ndërsa ata dolën në rrugët e më shumë se 60 qyteteve ruse të shtunën për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të kritikut të Kremlinit, duke sfiduar masat e marra nga policia për të penguar protestat, të cilat janë shpallur të paligjshme.
Protestat filluan në Lindjen e Largët dhe në Siberi, duke përfshirë qytetet Vladivostok, Khabarovsk dhe Chita, në të cilat sipas mbështetësve të zoti Navalny, po marrin pjesë me mijëra veta.
Në Khabarovsk, një qytet rus në kufi me Kinën, rreth 8 mijë kilometra në lindje të Moskës, protestuesit u përleshën me policinë që po përpiqej të parandalonte tubimin.
Bashkëpunëtorët e zotit Navalny në Moskë dhe gjetkë në Rusi, janë arrestuar tashmë që para tubimeve.
Policia ka paralajmëruar mbështetësit e opozitës, por edhe gazetarët e pavarur kundër mbulimit të protestave.
Universitetet ruse u kanë thënë studentëve që të mos marrin pjesë në tubimet në mbështetje të zotit Navalny, disa duke i kërcënuar ata me masa disiplinore, përfshirë përjashtimin.
Protestat e së shtunës janë të parat të organizuara nga mbështetësit e zotit Navalny që kur u kthye nga Gjermania, ku po shërohej nga helmimi me një agjent nervor. Ai u arrestua menjëherë me të arritur në Moskë.
Alexei Navalny e ka akuzuar hapur presidentin Vladimir Putin se ka urdhëruar shërbimet ruse të sigurisë për të kryer helmimin, akuzë që Kremlini e ka mohuar në mënyrë të përsëritur.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore e kanë dënuar me forcë arrestimin e zotit Navalny dhe kanë kërkuar lirimin e tij pa kushte. (VOA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.