Politike

Protesta, karta e presionit të PD ndaj Ramës për zgjedhjet e parakohshme

Kryerja e reformës zgjedhore po kushtëzohet nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.  Një skenar i opozitës që duket se i ka “bindur” në uljen në një tryezë me PS-në për të nisur reformën zgjedhore dhe që i ka vendosur mazhorancës 15 mars si afatin për miratimin e paketës ligjore. Paralelisht me këtë situatë paqeje, Partia Demokratike nisur takimet në qytete të ndryshme për të angazhuar strukturat e saj për t’i përgatitur për atë që i thuhet haptazi se do të ketë zgjedhje të parakohshme. Kjo thirrje duket se ka qetësuar disi demokratët që e shohin me skepticizëm paktin e ri me PS-në, pasi 17 maji tre viteve më parë i la një shije të hidhur.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi gjatë një konference për shtyp. Gazeta Si, janar 2020

Por, afati i 15 marsit i caktuar si kusht për realizimit me reformën zgjedhore lidhet edhe me faktin se pse opozita kërkon zgjedhjet e parakohshme. Për realizimin e këtij synimi, PD ka vendosur edhe një kusht kryesor që është krijimi i një qeverie tranzitore tre muaj për zgjedhjeve normale apo të parakohshme. Një standard që aplikohet në Maqedoninë e Veriut. Këtë qëndrim e mbajti edhe sekretar i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi gjatë një interviste televizive, i cili nuk përjashtoi dhe daljen në sheshe.  “Protesta kemi bërë dhe do të bëjmë sa herë që të jenë. Nuk do të jetë surprizë që në ditët në vijim të shpallim organizimin e një proteste. Ne kërkojmë qeverinë kujdestare për të organizuar zgjedhjet, që po funksionon në Maqedoni për të garantuar barazinë e palëve në procesin zgjedhor. Pala tjetër nuk duhet të vonojë procesin, por të mbyllet brenda 15 marsit”, deklaroi Bardhi.

Edhe pse kanë pranuar të ulen në një tryezë me PS-në për reformën, PD ka nisur të dyshojë se PS-ja po zvarrit procesin qëllimisht e kjo po realizohet siç e cilëson Bardhi për t’i hedhur “hi syve” ndërkombëtarëve në prag të vendimit për çeljen e negociatave.

Arben Pëllumbi, deputeti i PS-së

Mazhoranca nga ana e saj ka bërë të qartë se nuk ka zgjedhje të parakohshme dhe se ato do të mbahen në qershor të 2021. Sekretari organizativ i PS-së, Arben Pëllumbi e ka mohuar se mund të ketë ndonjë pakt tjetër të fshehtë që parashikon që pas reformës zgjedhore të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Edhe pse kjo duket e vështirë, për faktin se Rama nuk mund të pranojë, pasi si ministër i Jashtëm është drejton Kryesinë e Radhës së OSBE-së. Por Pëllumbi ka shtuar se PS-ja nuk i trembet zgjedhjeve të parakohshme. “Nëse do të duhet të bëjmë një marrëveshje ne nuk na trembe asgjë, ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje, strukturat janë në punë, në organizim, po mbyllim një proces riorganizimi. Por të mos fillojmë të bëjmë hamendësime. Të përfundojë reforma dhe pastaj shikojmë dhe gjykojmë. Nuk shikoj arsye që në pushtetin lokal të kemi zgjedhje të parakohshme. Nuk e di a ka apo jo garanci, por për PD-në rëndësi ka kthimi në normalitetin demokratik”, deklaroi deputeti socialist, Pëllumbi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë