Lajme

Protesta e “Astirit”, Veliaj: Nuk do shpronësojmë lloto e lavazhe

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka komentuar nga Vaqarri protestën e organizuar nga Partia Demokratike për projektin e Unazës së Madhe.

Duke sqaruar se pronarët që preken nga Unaza e Madhe do të shpronësohen, kurse për ndërtimet pa leje do të ketë 3 vite bonus qeraje dhe banesa sociale, Veliaj solli disa shembuj se si në ajo zonë është zaptuar nga llotot, lavazhet, gomisteritë dhe “shtëpi” me 8 kate pa leje.

“E kuptoj kur nga nevoja njeriu ndërton shtëpi për të jetuar, por 8 kate nuk është nevojtar, o miqtë e mi! Pse duhet t’ia marrë qeveria, bashkia lekët modeste të taksave dikujt në Vaqarr dhe në vend që të bëjmë shkollën këtu, në vend që të bëjmë rrugën, duhet t’i japim lekë dikujt që thotë ‘jam den baba den’ në një shtëpi me 8 kate, ku qartazi as i ka mbaruar 8 katet? Protestuesi më i madh Eurolloto! Po pse duhet njerëzit që s’luajnë baste të shpronësojnë një lloto?! Pse mos bëjmë një kopësht në Vaqarr, po duhet të japim lekë për lloto? Pse do heqim lekët e çerdheve për të shpronësuar një pikë bastesh, a ma thoni dot?! Për çfarë po protestojnë? Ky lavazhi ishte trotuar, i ka vënë vetëm këtë tendën portokalli dhe thotë më shpronësoni. Po kë të shpronësojmë more? Trotuari ishte i yni, i të gjithëve. Lekët do t’ia japim për shtëpinë, kush nuk ka asnjë letër, do t’i japim shtëpi sociale. Kush nuk ka asnjë gjë në botë, do t’i japim 3 vite qira falas. Të ndezin zjarr sa të duan, të djegin goma sa të duan, por fatin e familjeve dhe fëmijëve të këtij qyteti e kemi vetë në dorë. Ose do të shkojmë përpara dhe do të ecim me zhvillimet e Tiranës ose do të ngelemi mbrapa dhe nuk do e kapim kurrë veten”, deklaroi Veliaj.

Ai shprehu keqardhjen që opozita sjell nga qytetet e tjera militantë të saj për të penguar projektet zhvilluese të qytetit të Tiranës. “Pashë protestën, të gjithë me Range Rover parkuar tek sheshi “Skënderbej”. Ka ardhur dita që vihet me Range Rover në protestë për varfërinë, e kuptoni apo jo? Është fyese për inteligjencën e njerëzve dhe për të gjithë këto kauza që si të babëzitur, në pamundësi për të kapur ndonjë votë shkojnë e kapin kauza të dështuara. Kauza për të bllokuar investimet në Tiranë është një kauzë e dështuar. Qyteti, civilizimi, kultura, perëndimi, modernizimi gjithmonë fitojnë mbi dhunën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë