Bota

Protesta dhe kaos në Bruksel, shishe dhe vezë kundër Parlamentit Europian

Gazeta Si – Rreth 100 fermerë kanë hedhur sot shishe dhe vezë kundër selisë së Parlamentit Europian, në hyrjen kryesore. Forcat policore që ishin vendosur pas barrierave përgjatë perimetrit të ndërtesës, kanë hedhur ujë mbi manifestuesit.

Protestuesit, që kanë shkuar pranë selisë me qindra traktorë, kanë hedhur fishekzjarre, kanë ndezur zjarre dhe kanë hedhur shishe, duke bërtitur: ‘Pa fermerë nuk ka bujqësi’.

Të paktën një mijë traktorë kanë bllokuar rrugë të ndryshme të Brukselit, sidomos ato afër lagjes europiane, ku ndodhen liderët e BE-së për Këshillin Europian të Jashtëzakonshëm. Fermerët, të mbledhur nga gjithë Europa për të protestuar kundër politikës bujqësore, kanë bllokuar Place de Luxembourg, përpara selisë së Parlamentit Europian.

Ata kanë ndezur zjarre me dru dhe goma, ndërkohë që vazhdimisht kanë hedhur fishekzjarre. Një statujë është shkatërruar nga protestuesit, që kanë shkaktuar jo pak trazira.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë