Ne rrjet

Protesta dhe grevë urie pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi

Kundërshtarët e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dolën në rrugë të hënën në mbrëmje duke protestuar ndaj, siç thanë ata, manipulimit të zgjedhjeve të se dielës, të cilat sipas vëzhguesve ndërkombëtar u përshkuan me shumë parregullsi.

Në Beograd, disa mijëra veta u mblodhën para selisë së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, duke brohoritur "hajdutë", ndërsa udhëheqësit e opozitës hynë në seli për të paraqitur ankesa zyrtare me pretendimet për mashtrime në zgjedhjet për kryeqytetin serb.

Një nga udhëheqësit e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, Miroslav Aleksiç tha se Komisionit i janë paraqitur kërkesa për anulimin e zgjedhjeve në Beograd.

“Kemi dorëzuar të gjitha vërejtjet tona, dëshmitë, regjistrimet dhe gjithçka që duhet të shohë Komisioni i Zgjedhjeve, përfshirë dëshmitë se në çfarë kushtesh janë mbajtur zgjedhjet dje dhe si është kryer vjedhja brutale në qendrat e votimit, se si njerëzit nga Republika Serbe, nga Bosnja, u sollën (për të votuar). Shefi i Komisionit nuk arriti të na japë një përgjigje të vetme për asnjë pyetje, përfshirë pyetjen: Si është e mundur që ministri i Policisë nga Bosnja dhe Hercegovina të vijë për të votuar në Beograd? Sipas cilit ligj?", tha ai.

Miroslav Aleksiç dhe udhëheqësja tjetër e opozitës Marinika Tepiç thanë se do të mbajnë grevë urie deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Gjatë protestës pati përpjekje për të hyrë në selinë e Komisionit mbi ndërtesën e të cilit protestuesit hodhën vezë, domate dhe letra higjienike.

Partia Përparimtare Serbe e presidentit Vuçiç fitoi zgjedhjet parlamentare të së dilës, sipas rezultateve paraprake. Megjithatë, një grup opozitar tha se zgjedhjet për qytetin e Beogradit, u vodhën dhe paralajmëroi se nuk do ta njohë rezultatin dhe do të kërkojë rivotim.

Presidenti serb u shfaq në televizionin shtetëror RTS të hënën në mbrëmje, duke deklaruar se "zgjedhjet ishin të drejta" dhe se ai donte "t'u thoshte njerëzve të mos shqetësohen ... paqja, ligji dhe rendi do të mbizotërojnë".

Në një deklaratë paraprake, një mision i përbërë nga përfaqësues të mbikëqyrësve ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut tha se votimi ishte "dëmtuar nga retorika e ashpër, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike".

Nën udhëheqjen e presidentit Vuçiç, Serbia u bë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por opozita akuzon bllokun se po mbyll një sy ndaj mangësive demokratike të vendit në këmbim të qëndrueshmërisë në rajonin e Ballkanit, ende i trazuar pas luftërave të viteve 1990.

Ministria e Jashtme gjermane duke shpërndarë raportimet e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë për keqpërdorim të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave shkroi se “kjo është e papranueshme për një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. (VOA)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë