Politike

Protesta “blic” e Berishës; një thirrje për SHBA, paralajmërim për Ramën dhe akuza për Bashën

Protestuesit nisën grumbullimin në oborrin e Partisë Demokratike pak para orës 16:00. Brenda pak minutave, pjesa përpara selisë blu u popullua. Mes tyre kaloi deputeti Ervin Salianji, që në përplasjen mes Berishës e Bashës është rreshtuar në krah të këtij të fundit.

Kalimi i Salianjit mes mbështetësve të Berishës u shoqëruar me thirrjet “tradhtar”. Pak momente më vonë protestuesve u bashkohet Sali Berisha, që u prin më pas atyre në marshimin në drejtim të Kryeministrisë.

Veç deputetëve të PD-së që e kanë mbështetur gjatë foltores, protestës së Berishës iu bashkuan edhe ish-përfaqësues dhe përfaqësues aktualë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, parti e cila pas 25 prillit është zhytur në një kurs përplasjeje të fortë me Lulzim Bashën.

I shoqëruar nga të paktën 8 truproja, Sali Berisha udhëhoqi protestuesit së bashku me Belind Këlliçin, Albana Vokshin, Bujar Nishanin, Aldo Bumçin, Edit Harxhin, Ylli Manjanin, Megi Balliun dhe ish-deputeten e LDK-së, Melihate Termkolli.

Me të mbërritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një grup i protestuesve zbritën prej shtyllave një flamur serb të vendosur me rastin e vizitës së Aleksandër Vuçiç dhe i vunë flakën. Përveç këtij rasti, protesta vijoi e qetë dhe pa incidente, ndërsa forca të shumta policie ishin vënë në gatishmëri për çdo të papritur.

Në fjalën relativisht të shkurtër të mbajtur para protestuesve, Sali Berisha tha se shqiptarët janë kundër Ballkanit të Hapur, se nisma bie ndesh me interesat e tyre kombëtare dhe se PD do ta rrëzojë me të ardhur në pushtet.

“Kjo është një protestë që shkon kundër një projekti, i cili është refuzuar në mënyrë kategorike nga Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova, është shpallur si kërcënim nga Kroacia. Një projekt që nuk krijon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon. Ne jemi kundër këtij projekti, sepse bie ndesh në mënyrë flagrante me interesin tonë kombëtar. Në fillim ky projekt ka riformuluar hartat e Ballkanit duke fshirë Kosovën. Më vonë projekti mori emrin Ballkani i Hapur për të nderuar autorin dhe propagandistin e Shoqërisë së Hapur”, tha Berisha.

Një mesazh gjatë kësaj fjale e pati edhe për SHBA.

“Ballkani i Hapur do të hidhet poshtë kur PD të vijë në pushtet. Ballkanin e Hapur nuk e mbështet Amerika, SHBA mbështet vetëm bashkëpunim mes vendeve sovrane. Soros është kumbar i Ballkanit të Hapur. Dua t’i bëj thirrje SHBA-ve që të ndalojë politikat në diplomaci, që diktohen nga George Soros. Tradhtia dhe hajnia janë bërë bashkë me në krye Ramën”, deklaroi Berisha.

Paralajmëroi edhe Edi Ramën.

“Ky është një uragan. Mos guxo t'i dalësh para. Mos mendo se me pakicë dhe stërpakicë mund të shtypësh shumicën se mjerimi të pret. Ne nuk ka forcë në botë që na ndalon në rrugën tonë. Kjo është protesta e parë, ju ftoj të qëndrojmë të vendosur për serinë e pafundme të protestave të tjera, derisa të çlirojmë Shqipërinë nga narkoshteti, të rikthejmë votën, shpresën, të ardhmen për çdo shqiptar", deklaroi ish-Kryeministri.

Mesazh i drejtoi edhe Lulzim Bashës, të cilin e akuzoi se vrau besimin e shqiptarëve të opozita.

"Keni dëgjuar PD të flasë për mini-shengenin? Ja ku janë rezultatet në kufi të Kosovës. Pse more komb jetim jemi ne? U çlirua Kosova, u dyfishua fuqia kombëtare. Dhe heshtja e varrit ndaj projekteve të George Sorosit, Edi Ramës, por mjerisht edhe të ish-kryetari i Partisë Demokratike", tha Berisha.

Ndërkohë, kundër Ballkanit të Hapur u përqëndrua edhe fjala e Belind Këlliçit, Melihate Termkollit, Ylli Manjanit e Tritan Shehut.

“Rama, ti Vuçiç mund ta kesh mik të zemrës, por s'mund t'ia shesësh shqiptarëve si mik. Ne e kemi me korrupsionin që mban emrin, Edi Rama. Do të heqim nga Qeveria, që e ke korruptuar. Rama hiq dorë nga largimi masiv që po i bën të rinjve shqiptarë. Ke larguar 110 mijë të rinj. Për herë të parë ke futur Shqipërinë për emigrimin e shqiptarëve nën 18 vjeç. Në vend që Rama të jete mes jush, ai darkon me pjata të shtrenjta me vëllanë e tij Vuçiç. Ne jemi pro procesit të Berlinit dhe kundërt "Ballkanit të hapur'. Jemi forca që rilidhi marrëdhënien me SHBA, jemi pro amerikan dhe pro bashkimit Evropian", tha deputeti Belind Këlliçi.

"Ne duam marrëdhënie të mira me të gjithë në Rajon, por duam të udhëhiqemi nga procese Europiane, duam të ulemi në tryezë duke patur në krye Brukselin. Duam të jemi të barabartë mes të barabartëve sepse të gjithë sëbashku aspirojmë të ardhmen europiane. PD që në gjenezën e saj, lindi si forca e vetme proamerikane dhe kështu do jemi. Ne jemi më proamerikanët, më proeuropianët", deklaroi deputeti Tritan Shehu.

“Pranisë fizike i bashkohen qindra mijëra patriot shqiptar kudo në botë, juve sonte iu ka bashkuar një mision i madh, por edhe fisnik, i vështirë, por i thjeshtë për ta marrë përsipër, dalja zot e fatit tuaj, të familjeve tuaja, ju sonte në këtë shesh dhe në këtë betejë që po nisni iu ka bashkua misioni për të luftuar hajninë dhe tradhtinë bashkë, një qeverisje e mbrapshtë nuk ka punuar asnjë minutë për ju, por për xhepin e saj”, tha ish-Presidenti Bujar Nishani.

“Kombi ynë është në rrezik në këto momente, rreziku i vjen nga Rama, Vuçiç dhe ata që i paguajnë me misionin për të djegur Ballkanin. Ku ndodhet sot Lulzim Basha, gjoja nipi i Pejës? Asgjë, në 4 vitet e fundit që është diskutuar territori i Kosovës, a bërë vetëm një deklaratë të mjerë", u shpreh Edit Harxhi.

“Duan të realizojnë izolimin e Kosovës, është fasada që Rama i jep Vucic, ai flet për Botën Serbe, që po nxit konflikt në Bosnje, Rama i bën fasadën që e nxjerr si lider Europian. Pazare për pushtet, nuk është projekt Europian”, deklaroi Aldo Bumçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë