Ka ndodhur

Lirohen dy protestuesit që u arrestuan për djegien e flamujve serb te kryeministria

Dy protestuesit që u akuzuan për djegien e katër flamujve serbë gjatë tubimit të thirrur nga ish-kryeministri Berisha, janë liruar. Gjykata e Tiranës caktoi këtë të enjte masën detyrim paraqitje për Astrit Carën dhe Besnik Balanin.

Ata u arrestuan pas protestës kombëtare të së hënës para kryeministrisë të organizuar nga Berisha kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç për samitin e “Open Balkan” në Tiranë.

Ndaj tyre, rëndon akuza për veprat penale të nxitjes së urrejtjes dhe përdhosjes së simboleve kombëtare Prokuroria kërkoi që dy të arrestuarit të hetohen në gjendje të lirë me masën e detyrimit për t’u paraqitur.

Avokati Ledjo Nuraj, tha se klientët e tij nuk kishin lidhje me veprën penale, pasi nuk vërtetohej se ishin ata që kryen djegien e flamurit.

“Djegja e flamurit nuk është vepër penale por shprehje e mendimit. Shtetasit kanë qenë në një proteste të ligjshme. Në Serbi personi që ka djegur flamurin shqiptar nuk është arrestuar ndërsa ne këtu i arrestojmë” tha avokati në seancën e gjyqit duke kërkuar masë më të butë hetimi.

Gjatë vendimit të gjyqtarit Artan Gjermeni, në sallën e gjyqit ishte edhe deputetja, Albana Vokshi, së bashku me Klevis Balliun dhe Çlirim Gjatën, të cilët i kërkuan drejtësisë të mos marrë urdhra politikë.

“Qëndrimin e gjykatës e përshëndesim, por arrestimi është i paligjshëm, nuk ka prova për arrestimin e dy qytetarëve. Hetimi të jetë objektiv dhe të mos marrin urdhra nga Rama. Të dy qytetarët që morën pjesë në protestën e organizuar nga PD-ja e rithemeluar, kanë shprehur me anë të gjestit të tyre protestën ndaj mini-shengenit dhe planet famëkeqe të Ramës, - tha ajo. - Shqiptarëve të Preshevës s’u lejohet përdorimi i flamujve shqiptarë dhe analistë të Kosovës merren në pyetje nga sigurimi serb, Edi Rama arreston protestuesit”, - u shpreh Vokshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë