Dosje

Prostitucion me vajza të huaja në Tiranë në faqet online, ‘eskortat’ paguheshin nga 200 deri në 1.000 euro

Gazeta Si - Një faqe online në internet iu shërbente vajzave të huaja që ushtronin prostitucion në Tiranë për të marrë rezervime nga klientë të interesuar për shërbimet e tyre.

Gjashtë vajzat e huaja që u kapën disa ditë më parë nga policia në kryeqytet kishin krijuar kontakte në rrjete sociale, deri në momentin e prangosjes së tyre.

Pas rezervimit, të rejat e moshës 20 deri në 30 vjeç, kryesisht nga vendet e Amerikës latine, shoqëronin klientët shqiptarë në ambiente dhe hotele të ndryshme në këmbim të pagesës.

Sipas dosjes hetimore të publikuar nga “Report tv”, ato paguheshin nga 200 deri në 1.000 euro.

Hetuesit e kanë ende të paqartë se kush fshihet pas kësaj skeme, ndërsa vajzat e arrestuara, që këtë të martë dolën para gjykatës, kanë pranuar që punojnë si "eskorta".

Shtetasja Beisi Yusmar Rojas Ruiz, 30 vjeçe, me origjinë nga Kolumbia shfrytëzonte për prostitucion 6 vajzat e tjera, të cilat kishin ardhur në Shqipëri nga Spanja, Kolumbia, Venezuela dhe Rusia.

Sipas policisë, vajzat e liruara nga gjykata, janë shtetaset: L. P., 28 vjeçe, L. B., 23 vjeçe, Y. S., 28 vjeçe, D. B., 31 vjeçe, M. G., 21 vjeçe dhe L. B., 22 vjeçe, nga Spanja, Kolumbia, Venezuela dhe Rusia.

Por të shtata u liruan këtë të martë nga gjykata e Tiranës, pas kërkesës së prokurorisë për të caktuar masën detyrim paraqitje.

Në të njëjtën kohë gjykata vendosi sekuestrimin e pasaportave të vajzave për mos dalë nga Shqipëria deri në përfundim të hetimit. Në ndjekje penale për këtë rast, janë 4 pronarë të apartamenteve ku jetonin eskortat e huaja.

Me një vëzhgim të thjeshtë në faqen online “Country Albania”, që shërben për të gjetur “escorta” (shoqëruese), rezulton që në këtë aktivitet të paligjshëm në Shqipëri janë 581 vajza.

Konkretisht 559 vajza operojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm në Tiranë, 19 janë me bazë në Durrës, ndërsa 3 të tjera janë në Sarandë.

Vetëm një regjistrim i thjeshtë për të bërë të mundur aksesimin e faqes online, u kushton klientëve 30 euro, ndërsa më pas vendosen çmimet për secilën nga vajzat që mund të “rezervohen”.

Ndërkohë në faqen e këtij aktiviteti të paligjshëm vihet re se vajzat që ushtrojnë në Shqipëri vijnë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa vetëm 5 prej tyre dinë të flasin shqip.

Ky është një nga rastet e pakta që shtetase të huaja ushtrojnë prostitucion si “eskorta” në Shqipëri përmes faqeve online.

Vitet e fundit, fenomeni ka qenë më shumë i përhapur përmes qendrave të masazheve, të cilat kamufloheshin për prostitucion përmes pagesës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë