Futboll

Propozimi/ Pelé në fjalor, si sinonim i madhështisë dhe përsosmërisë

Gazeta Si – Pelé në fjalor. Fondacioni që mban emrin e ish-futbollistit të madh brazilian ka nisur një fushatë për të futur në fjalorin portugez të vetmin që ka fituar 3 Kupa Bote me kombëtaren e tij.

Fushata ka nisur që javën e kaluar dhe ka si qëllim që fjala ‘Pelé’ të futet në fjalorin portugez si sinonim i ‘madhështisë’ dhe ‘përsosmërisë’, për nder të brazilianit lgjendar, i ndarë nga jeta më 29 dhjetor të vitit të kaluar.

Pele, legjenda e futbollit boteror. Gazeta Si, 19 prill 2023

1.Më i madhi i të gjithëve. 2.Referim i madhështisë. 3.I pashembullt. 4.Sinonim i përsosmërisë. 5.Unik. Ky është përkufizimi i propozuar nga Fondacioni që mban emrin e kampionit të trefishtë të botës, me të cilin synohet që ai të ‘përjetosëohet’ me një fjalë në fjalor, me anë të një mbiemri të ri.

Për t’ia arritur qëllimit është hapur një faqe web për mbledhjen e firmave. Në dispozicion të publikut është vendosur një modul digjital për të realizuar iniciativën. Fushata është mbështetur edhe nga Santosi, klubi ku Pelé ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës sportive, si dhe nga ‘Globo’, grupi mediatik më i fuqishëm në Brazil.

Edson Arantes do Nascimento “Pelé”, i konsideruar nga të gjithë si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave, u nda nga jeta më 29 dhjetor, në moshën 82-vjeçare, për shkak të një sëmundjeje nga e cila vuante prej një viti. Ai ka fituar Kupat e Botës në vitet 1958, 1962 dhe 1970.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë