Taksa

Propozimi i PD-së: Pensionistët e punësuar të mos paguajnë sigurime

Nga Gazeta ‘SI’- Një nismë e re ligjore e depozituar në Kuvend nga Partia Demokratike synon të ndryshojë qasjen ndaj pensionistëve që vazhdojnë të mbeten aktivë në tregun e punës.

Projektligji që man firmën e deputetit Igli Cara kërkon përjashtimin e përkohshëm të kësaj kategorie nga detyrimi për të paguar kontributet e sigurimeve shoqërore në degën e pensioneve. Ky propozim vjen si një instrument nxitës për të krijuar një mjedis më stimulues për moshën e tretë, duke adresuar atë që relacioni e cilëson si një “barrë të dyfishtë” kontributive për individët që tashmë e kanë fituar të drejtën e pensionit.

“Aktualisht, legjislacioni në fuqi parashikon detyrimin për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore edhe për pensionistët që vijojnë aktivitet ekonomik, me përjashtime të kufizuara vetëm për raste të caktuara. Kjo situatë krijon një efekt dekurajues dhe shpesh çon në informalitet ose tërheqje nga tregu i punës”, argumenton drafti.

Sipas ndryshimeve të propozuara, në ligjin ekzistues do të shtohet një nen, i cili përcakton qartë se përfituesit e pensionit të pleqërisë që janë të punësuar ose ushtrojnë aktivitete si të vetëpunësuar, tregtarë apo profesionistë të licencuar, nuk do të kenë më detyrim për derdhjen e kontributeve për pension të paktën për 4 vite nga hyrja në fuqi.

Kjo periudhë e përjashtimit nuk do të konsiderohet si periudhë sigurimi për efekt rritjeje apo rillogaritjeje të pensionit ekzistues, duke ruajtur kështu integritetin financiar të skemës.

Në relacionin shoqërues vërehet se aktualisht përllogariten rreth 13.000 pensionistë aktivë në vend, të cilët shpesh dekurajohen nga kostot e larta të formalizimit. Përmes kësaj ndërhyrjeje, synohet jo vetëm nxitja e punësimit të moshës së tretë, por edhe reduktimi i informalitetit në ekonomi duke incentivuar deklarimin e aktivitetit ekonomik nga kjo kategori. Projektligji argumenton se eksperienca dhe kapitali njerëzor i pensionistëve mund të shërbejnë si një aset i vlefshëm për ekonominë shqiptare, veçanërisht në sektorët që vuajnë nga mungesa e fuqisë punëtore.

Sa i përket ndikimit në financat publike, propozimi vlerëson se efekti në buxhetin e shtetit do të jetë neutral ose pozitiv në afatmesëm. Ndonëse do të ketë një rënie të të ardhurave direkte nga kontributet, kjo pritet të kompensohet nga rritja e të ardhurave tatimore indirekte, si pasojë e formalizimit të punës dhe rritjes së konsumit nga ana e pensionistëve që do të kenë më shumë të ardhura në dispozicion. Nëse ky projektligj miratohet, ai do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe do të gjejë zbatim edhe për marrëdhëniet e punës që janë ekzistuese në atë moment.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë