Politike

Propozimet e PD: SPAK të hetojë krimin zgjedhor

Partia Demokratike ka dorëzuar tre propozimet e para për reformën zgjedhore, që mendon se paketa e propozimeve që ajo bërëi në tryezë e përbashkët me përfaqësues të ODIHR ëshë instrumenti i duhur që ndan politikën nga krimi, godet krimin zgjedhor dhe rrit efikasitetin e ndëshkimit të krimit zgjedhor.

“Është roli i Policisë së Shtetit në një kuadër masash që garantojnë fushën e barabartë të lojës. Futja e një numri instrumentesh që kanë të bëjnë me të drejtën dhe mbrojtjen e subjekteve që do të denoncojnë krimet zgjedhore, rol të shtuar për Policinë Gjyqësore dhe elementë të tjerë që garantojnë sekretin dhe lirinë e zgjedhësve në procesin e votimit”, thotë PD.

Propozimi i dytë kërkon që krimi zgjedhor të trajtohet nga SPAK-u.

“Po ashtu, kemi bërë propozime në lidhje me rolin që do të ketë Prokuroria, qoftë ajo e zakonshme, qoftë ajo e Posaçme në goditjen e krimit zgjedhor, në mënyrë të veçantë Prokuroria e Posaçme për korrupsionin zgjedhor, qoftë atë aktiv, qoftë atë pasiv dhe futja e këtij të fundit në kompetencat e SPAK-ut, sepse në të shkuarën është lënë jashtë duke dëmtuar një qëllim që ka jo vetëm Kushtetuta por edhe reforma zgjedhore e mëhershme, që krimi i korrupsionit zgjedhor duhet të goditet nga strukturat më të specializuara që kemi ne sot nga reforma në drejtësi”, deklarojnë demokratët.

Hetimin nga SPAK të korrupsionit zgjedhor e la të hapur edhe përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik të ngritur për reformën zgjedhore.

“Korrupsioni zgjedhor është një vepër penale e parashikuar dhe aktualisht në legjislacionin penal që është ndryshuar në vitin 2017. Është një propozim që duhet ta shikojmë, të konsultohemi me ekspertët dhe me prokurorinë, apo institucionet përkatëse. Është një gjë që duhet zgjidhur gjithmonë në frymën e kompromisit”, tha ai.

Por, Gjiknuri përjashtoi mundësinë që në tryezën e Këshillit Politik të diskutohet kërkesa e Partisë Demokratike për qeveri tranzitore.

“Nuk është mandati im, as i Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe as i këtij grupi për të adresuar çështje kushtetuese, territoriale apo çështje të tjera që nuk kanë të bëjnë me legjislacionin zgjedhor. Pra, kërkesat e natyrës politike qoftë dhe qeveri teknike apo gjëra të tilla, që janë kërkesa politike e të përsëritura shpesh nuk kanë lidhje me punën tonë”, u shpreh ai.

Rudina Hajdari, që në këtë tryezë përfaqëson opozitën parlamentare thotë se një pjesë e kërkesave të PD kishin karakter politik, por shprehet optimiste se do të gjendet një konsensus në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it.

“Nuk u ra dakort për asgjë sot, por pati një vullnet i mirë por kërkohet jashtëzakonisht shumë punë. Ka dhe lloje propozimesh të ndryshme dhe t’i kishim më parë se këtyre takimeve, pasi kur vijmë këtu njihemi me ato dhe na duhet kohë që t’i lexojmë. Duhet të punojmë në mënyrë shumë intensive për të arritur afatet”, deklaroi ajo.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike thotë se kërkesa kryesore e opozitës parlamentare në këtë tryezë do të jetë ndryshimi i sistemit zgjedhor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë