Futboll

Pronësia e dyfishtë, Milani mund të nxjerrë francezët e Tuluzës jashtë Europës

Gazeta Si – Tuluza, me fitoren në Kupën e Francës, trofeu i parë në histori, fitoi të drejtën të luajë në Europë, por këtë kënaqësi mund t’ia privojë …Milani.

Klubi i Tuluzës është në pronësi të ‘RedBird Capital’ të Xherri Kardinale, i cili ka mazhorancën e aksioneve te Milani, aktualisht në vend të 5-të në renditje, me mundësi të mëdha për të shkuar në Ligën e Kampionëve ose në Ligën e Europës.

Tuluza feston me trofeun e Kupes se Frances. Gazeta Si, 1 maj 2023

Rregullorja e UEFA-s ka një pikë të saj, që ndalon pjesëmarrjen në një ose dy kompeticione të klubeve me të njëjtin pronar. “Asnjë person fizik ose juridik nuk ka të drejtën e kontrollit mbi më shumë se një klub që merr pjesë në kompeticionet e UEFA-s për klube”, - thotë kjo pikë e rregullores.

Nëse Milani kualifikohet në Champions, pjesëmarrja e francezëve në Ligën e Europës nuk do të ishte e mundur, sepse klubi italian mund të eliminohet nga grupet dhe shkon në Ligën e Europës. Përjashtimi i vetëm do të ishte, nëse një nga këto dy skuadra do luante në Champions dhe tjetra në Ligën e Konferencës, por nuk është kështu.

Rregullorja e UEFA-s ka disa kritere që përcaktojnë edhe klubin që duhet të heqë dorë nga Europa, nëse ka një skenar të tillë. Hierarkia në kompeticionet europiane, renditja në kampionat dhe Italia më mirë se Franca në renditjen e UEFA-s, janë në favor të Milanit. Kuqezinjtë nuk rrezikojnë për Europën.

Ka dhe një shpresë për Tuluzën, si në rastin e Red Bull në 2017-ën, kur kolosi austriak bëri disa modifikime administrative që të lejonin Lajpcigun dhe Salcburgun të luanin në Europë. Këto modifikime kërkojnë kohë dhe vështirë se RedBird ‘del’ nga Tuluza shumë shpejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë