Lajme

Prokuroria: Përse Dosja 339 nuk prekej prej muajsh?

Kryebashkiaku i Durrësit nuk është nën hetim, ka thënë këshilltari i Prokurorisë,  Denion Ndrenika,  në një lidhje telefonike me emisionin “Java” në Radio Televizionin Shqiptar, ndërsa nuk ka dashur të zbulojë elementë të tjerë të dosjes, e cila është ende nën hetim. Ajo çka është bërë e ditur është se Vangush Dako, nuk është thirrur për procedimin penal nr. 339, që sipas Ndrenikës në vitin 2017 është ndarë në “339” dhe “339/1”, ndërsa ka preku rrjedhjen e informacioneve të publikuara në medie ditëve të fundit, që e lidhin emrin e Dakos me grupin kriminal “Avdylaj”.

Këshilltari i Prokurorisë tha se kjo dosje prej shumë muajsh rrinte pa asnjë veprim dhe ishte transferimi rastësor i prokurorit të ngarkuar me hetimin e kësaj dosjeje, që solli edhe zhbllokimin saj. “Largimi rastësor i prokurorit ka sjellë zhbllokimin e dosjes. Nuk është fjala për Anton Martinin, pasi ai është larguar prej shumë kohësh. Prokurori i fundit ishte i ngarkuar për këtë hetim me një dyshe prokurorësh të tjerë. Theksojmë se materiali është shumë voluminoz dhe hetimi vijon deri në zbardhjen e plotë. Theksoj se dosja rrinte për shumë muaj pa asnjë veprim dhe shumëkush mund ta kuptojë se çfarë solli largimi i prokurorit,” u shpreh  Ndrenika, ndërsa preferoi të mos u referohej prokurorëve të kësaj çështjeje me emra.

Këshilltari i Prokurorisë, Denion Ndrenika

E megjithëse nuk është nën hetim,  veprimtaria e kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe personave të tjerë të përfshirë në dosje, do të hetohet për të dalë në një përfundim nëse ka apo jo elementë të veprës penale. “Nuk është person nën hetim, por për Vangjush Dakon nuk do të thotë se nuk po hetohet veprimtaria e tij si kryetar i bashkisë. Po hetohet veprimtaria e tij  dhe e shumë personave të tjerë dhe në përfundim do të konkludohet nëse ka ose jo elemente të veprës penale”- u përgjigj Ndrenika.

Dosja rrinte për shumë muaj pa asnjë veprim dhe shumëkush mund ta kuptojë se çfarë solli largimi i prokurorit,” - Këshilltari i Prokurorisë  

Emri i Vangjush Dakos  doli në hetimet e prokurorisë për grupin kriminal të ‘Avdylajve’ dhe nga përgjimet e publikuara në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në Neëws24 rezultoi se Dako kishte komunikim dhe bashkëpunim me Altin Avdylin i ashtuquajturi “Niçja” i arrestuar gjatë operacionit “Vol-vo 4”.Nga kjo bisedë e përgjuar, Dako interesohet që të takojë një person të quajtur Astrit, i arrestuar të dielën e shkuar si pjesë e bandës ‘Avdylaj’.

Sipas transkriptit të kësaj bisede, Vangjush Dako kërkon të takohet me Astritin për ta falënderuar dhe folur për diçka, dy ditë pas zgjedhjeve të vitit 2017. Ndërkohë në një tjetër përgjim të publikuar nga ish kryeministri Sali Berisha, Vangjush Dako është kapur duke biseduar me Jasin Avdylin, i cili po ashtu është i arrestuar në operacionin ‘Vol-vo 4’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë