Drejtësia

Prokuroria e Tiranës kthen në AMP materialet për hetimin në sistemin TIMS: S’janë të plota

Gazeta Si - Pas denoncimit të AMP-së për ndërhyrjen në sistemin TIMS, Prokuroria e Tiranës ka kthyer pas materialet e referuara, pasi i konsideron jo të plota.

Një muaj pas depozitimit të kallëzimit, Prokuroria e kryeqytetit ka vlerësuar nevojën e kryerjes së veprimeve shtesë nga ana e AMP.

Sipas Prokurorisë, materialet e dorëzuara nga AMP për situatën në sistemin e Drejtorisë Teknologjike të Informacionit nuk ishin të plota.

LEXO EDHE:
Zyrtari i ambasadës së SHBA me Ballën: Hetim në Polici për ndërhyrjet në sistemin TIMS

Ndaj thekson se, “organi i akuzës e ka deleguar fashikullin për të cilin po hetohet në AMP, ku po kryhen veprimet shtesë”.

“Materialet e dorëzuara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Prokurorinë e Tiranës për situatën në sistemin e Drejtorisë Teknologjike të Informacionit (TIMS) duket se kanë qenë të pa plota. Për këtë arsye, organi i akuzës e ka deleguar fashikullin për të cilin po hetohet në AMP, ku po kryhen veprimet shtesë”, -thuhet në reagimin e organit hetues.

Ndërkohë, në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria i ka kërkuar AMP të marrë në pyetje të gjithë zinxhirin drejtues dhe efektivët bazë që kanë pasur lidhje me rastin konkret.

Krahas kësaj, pritet të mblidhen disa provave të tjera, që lidhen me akt ekspertime të kompjuterëve në ato zyra.

Kallëzimi i AMP erdhi pak ditë pas denoncimit të skandalit që ngjalli edhe një reagim në Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Hetuesit duhet të zbulojnë se cili është qëllimi që këta persona kanë ndërhyrë në sistemin TIMS.

Në këtë sistem, ndodhen dhënat personale të të gjithë qytetarëve të vendit, por edhe të dhëna të tjera se sa herë kanë hyrë dhe kanë dalë në pikat e kalimit kufitarë.

Nga ana tjetër, në sistem janë të gjitha të dhënat për personat që rezultojnë të kërkuar apo të shpallur në kërkim nga ana e policisë shqiptare dhe sigurisht dalja në publik e tyre, do të dëmtonte çështje hetimore që kanë në duar Prokuroritë shqiptare, përfshirë dhe SPAK-un.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë