Drejtësia

Prokurorët zgjedhin 3 anëtarët e rinj të KLP

Prokurorët nga i gjithë vendi, zgjodhën këtë të premte tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilt janë Sokol Stojani nga Prokuroria e Përgjithshme, Ludovik Dodaj nga Prokuroria e Apelit Durrës dhe Zeqir Hoda nga Prokuroria e Tiranës.

244 prokurorë nga i gjithë vendi, kanë votuar për tre kolegët e tyre që do të jenë pjesë të KLP-së pas përfundimit të mandatit të 5 anëtarëve aktualë, 3 prej të cilëve nga radhët e prokurorëve dhe dy nga radhët e profesorëve që zgjidhen nga Kuvendi.

Ndryshe nga KLGJ, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, do t’i ndryshojë edhe kreu. Kështu, në dhjetor do t’i përfundojë mandati edhe Gent Ibrahimit, i cili drejton për tre vjetësht Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Më konkretisht, nga votimi për kandidatin si prokuror të Prokurorisë së Përgjithshme, komisioni shpalli fitues Sokol Stojanin, i cili ka mare 195 vota, 14 vota ishin të pavlefshme.

Nga votimi për kandidatin prokuror të prokurorive të Apelit, komisioni shpalli fitues kandidatin Ludovik Dodaj, i cili ka marrë 192 vota, 17 vota ishin të pavlefshme.

Kurse nga votimi për kandidatin prokuror të prokurorive të shkallëve të para, rezultoi se kandidati Zeqir Hoda ka marrë numrin më të lartë të votave dhe shpallet fitues sipas renditjes: Zeqir Hoda 150 vota; Deniona Katro 48 vota; Elona Alvora 6 vota; 5  vota u shpallën të pavlefshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë