Drejtësia

Çela përplaset me kreun e KLP për kompetencat, Ibrahimi: Këtu nuk guxojnë t’ju bëjnë pyetje!

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela është përplasur me kreun e KLP-së Gent Ibrahimi. Gjatë raportimit të enjten në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për vitin 2020, lidhur me funksionimin dhe administrimin e sistemit të prokurorisë, Çela ka kërkuar rritje të kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm. Ai theksoi se roli i tij është i kufizuar dhe se është e rëndësishme të ketë më shumë hapësirë.

Por Ibrahimi e cilësoi të parakohshme kërkesën e tij, duke shtuar se kryeprokurori duhet të përqendrohet në çështje të tjera.

“Këtu nuk guxojnë t’ju bëjnë një pyetje, ju flisni për rritjen e kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm.  Propozimet tuaja janë të parakohshme, - iu drejtua Ibrahimi, kryeprokurorit. - Ky është një oqean me probleme. Ju mund të kaloni një mandat duke u marrë me këto çështje që po të zgjidhen, ia ndryshojnë faqen sistemit të prokurorisë. Anëtarët prokurorë në KLP janë të heshtur me pyetjet që duhet t’i bëjnë kryeprokurorit dhe ky për mua është indikacion alarmues. Ky është një argument që bie ndesh me preokupimin tuaj për rritjen e prokurorëve, këtu kemi anëtarë të prokurorisë që nuk guxojnë t'ju bëjnë pyetje z.Çela. Ju vini këtu na thoni për rritje profesionale të prokurorëve", tha Ibrahimi.

Mes të tjerash, Çela theksoi se ka ende drejtues prokurorie që nuk e kanë kuptuar rolin e tyre. Sipas tij, këtë vit është ashpërsuar disa herë Kodi Penal, por kjo nuk ka sjellë rezultat. Më tej, kryeprokurori tha se cilësia e oficerëve gjyqësorë nuk është nën nivelin e duhur, pasi shpesh zvarrisin hetimet.

Ai ka nënvizuar se ka një nevojë emergjente për të plotësuar vakancat në Prokuroritë e Kavajës, Gjirokastrës, Beratit dhe Dibrës.

Kreu i Prokurorisë ka kërkuar më pas ndëshkim për të gjithë prokurorët e rretheve që mbajnë dosjet në sirtarët e zyrave të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë